Vëllai i 27-vjeçarit që vdiq në Lipjan pas arrestimit nga Policia, Alban Zejnullahu, ka thënë se vëllai i tij ka vdekur si pasojë e dhunës së përdorur ndaj tij.

Ai në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se viktima ka pasur më shumë se 20 plagë në të gjitha pjesët e trupit.

Zejnullahu ka shtuar se deri tash askush nga institucionet nuk i ka kontaktuar.

“Jo deri më tani nuk kemi asnjë informatë zyrtare nga asnjë institucion shtetërorë. Nuk dimë asgjë përveç pamjeve që i kemi parë të gjithë. Ditën e parë, gjatë varrimit, kanë ardhë dy persona, por ju kam thënë që nuk është momenti që unë të flas. Ashtu siç pamjet flasin, dhuna e shkaktuar nga zyrtarët policorë ka çuar në vdekjen e tij. Ai ka qenë i ngufatur pasi ia kanë vënë këmbën në fyt. Por ka marrë edhe goditje në trup, unë kam fotografi të trupit të tij. I ka mbi 20 plagë, brinjëve, në fytyrë, qafë dhe gjithandej trupit”, ka thënë ai.

Sipas tij, është e çuditshme që zyrtarisht nuk kanë marrë asnjë lajm se si ka ardhur vdekja e tij.

“Shmangia nga ky komunikim, tregon që kanë dashur ta mohojnë rastin. Fillimisht e kanë lajmëruar si dehje, përleshje mes qytetarëve. Duam të falënderojmë mjeken e emergjencës e cila i ka demantuar komplet deklaratat e zyrtarëve policorë. Policët kanë shkruar se ai ka pësuar infarkt, por ajo i ka demantuar duke treguar që kanë gjetur të vdekur në pranga. Ka qenë një polic civil i cili e ka nxitur gjithë këtë situatë”, ka thënë ai.

Pesë zyrtarë policorë që kanë marrë pjesë në arrestimin e 27-vjeçarit janë ndaluar për 48-orë për veprën “vrasje nga pakujdesia”.