Përpjekjet për të rindërtuar një identitet monoetnik përmes deformimit të historisë
dhe përjashtimit të shqiptarëve nuk janë thjesht politikë ditore ato janë një projekt
afatgjatë që synon të ndryshojë vetë strukturën e shtetit. Kthimi i kësaj qasjeje
përmes sloganit “Kthimi i Shtetit” është në thelb kthim pas: drejt përçarjes, drejt
autokracisë, dhe larg vlerave të BE-së dhe NATO-s. Nëse kjo nuk ndalet,
Maqedonia do të zhbëhet si projekt i një shteti demokratik multietnik.
Nga Prof. dr. Skënder ASANI
Maqedonia e Veriut është kthyer në një fushë të përplasjes mes nacionalizmave të
vjetër dhe projekteve të reja për shtetndërtim. Në vend që të ndërtojë një model të
mirëfilltë të bashkëjetesës, një pjesë e elitës maqedonase ka ndjekur një strategji
sistematike për rishkrimin e historisë dhe përjashtimin e shqiptarëve si pjesë e identitetit
shtetëror. Ky proces i reideologjizimit historik është i rrezikshëm jo vetëm për
marrëdhëniet ndëretnike, por edhe për orientimin strategjik të vendit, i cili gjithnjë e më
tepër po largohet nga vlerat euroatlantike për të rënë në orbitën e ndikimeve autokratike
lindore.
Në kontekstin e shteteve multietnike të Ballkanit, ndërtimi i shtetit shpesh ka kaluar
përmes proceseve të ndërlikuara, ku historia, identiteti dhe politika janë përdorur si
instrumente të fuqishme për të forcuar dominimin kulturor dhe politik të njërës palë mbi
tjetrën. Maqedonia e Veriut, që nga fillimi i pluralizmit në fillim të viteve ’90, ka qenë një
laborator tipik i këtyre përpjekjeve, ku përplasjet mes narrativave nacionaliste dhe
përpjekjeve për ndërtimin e një shteti multietnik dhe demokratik kanë qenë të
vazhdueshme.
Në këtë rrugëtim, qasjet etnonacionaliste të një pjese të elitës politike maqedonase, të
mishëruara veçanërisht nga partia VMRO-DPMNE, shpesh janë ngritur mbi mohimin
sistematik të autoktonisë dhe të drejtave historike të shqiptarëve. Kjo strategji nuk ishte
e rastësishme, por një vazhdimësi e modelit të imponuar nga akademitë politike dhe
shkencore të fqinjëve veriorë, me qëllim prodhimin e një identiteti të ri shtetëror që
përjashtonte shqiptarët si faktor shtetformues.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të rikujtohet se në tre dekadat e para të shekullit
XX, VMRO historike bashkëpunoi ngushtë me lëvizjen kombëtare shqiptare dhe me
popujt e tjerë të rajonit kundrejt hegjemonisë serbo-ruse, duke propozuar një model të
bashkëjetesës në formën e një Zvicre ballkanike një projekt që mund të realizohej
vetëm përmes një bashkëpunimi të sinqertë shqiptaro-maqedonas. Kjo frymë u përtërit
në vitet ’90, ku pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, VMRO përqafoi pluralizmin
dhe orientimin euroatlantik, ndërsa lidershipi i saj ishte ndër nënshkruesit e
Marrëveshjes së Ohrit një akt themelor për ndërtimin e kohezionit ndëretnik. Edhe pse
në fillim e kundërshtoi Marrëveshjen e Prespës, që i hapi rrugë anëtarësimit në NATO,
qëndrimi i saj u zbut më vonë, dhe refuzimi fillestar u shndërrua në retorikë elektorale,
pasi anëtarësimi në aleancën më të fuqishme të sigurisë u realizua. Një element kyç i
kësaj faze ishte për caktimi strategjik që Shqipëria dhe Maqedonia të ecnin së bashku
drejt integrimit euroatlantik. Ndarja e Maqedonisë nga kjo aleancë natyrore jo vetëm që
dobëson qëndrueshmërinë rajonale, por rrezikon edhe vetë orientimin strategjik të
shtetit.
Në fund të viteve ’90, me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE-së, u vu në lëvizje një
nga projektet më agresive të instrumentalizimit të historisë, i njohur si “Projekti Për
Maqedoninë”. Ky projekt synonte rindërtimin e një narrative të re historike kombëtare,
duke tentuar të zhvishte shqiptarët nga çdo lidhje me autoktoninë e kësaj hapësire.
Pjesë e këtij projekti ishte edhe ndërhyrja brutale në monumentet e trashëgimisë
kulturore, ku dëmet më të mëdha i pësuan shtresat arkeologjike të kalasë së Ohrit, një
nga dëshmitë më të rëndësishme të vazhdimësisë iliro-arbërore. Këto gjurmë u
mbuluan me beton, duke u përpjekur të fshihej çdo dëshmi që lidhej me fiset ilire dhe
trashëgiminë mesjetare të fisit arbëror të Gropajve.
Arkeologu Pasko Kuzman u bë figurë qendrore e këtij procesi, duke u shndërruar në
simbol të një qasjeje që më shumë se me arkeologjinë kishte të bënte me inxhinierinë
politike të së kaluarës. Ai u shpërblye me pozita të larta institucionale, duke u bërë i
paprekshëm dhe i privilegjuar në hierarkinë shtetërore, pikërisht për kontributin e tij në
deformimin e kujtesës historike. Simbolika e kësaj periudhe u përmbyll me një projekt
tjetër provokues ngritja e një monumenti monumental në malin Vodno, i cili jo vetëm
dominonte horizontin e kryeqytetit, por përçonte qartë mesazhin se identiteti shtetëror
po ndërtohej mbi baza monoetnike dhe fetare, duke përjashtuar komponentët tjerë
historikë dhe kulturorë të shoqërisë shumetnike.
Kjo politikë e rrezikshme, e cila minonte në themel marrëdhëniet ndëretnike dhe
orientimin demokratik të vendit, u ndal vetëm si pasojë e konfliktit të vitit 2001 dhe
Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndërpreu diskriminimin e institucionalizuar dhe i hapi rrugë
integrimit euroatlantik.
Pas rikthimit në pushtet, VMRO-DPMNE rifilloi me vrull realizimin e projekteve të saj
identitare, tashmë të paketuar më bukur dhe më agresivisht nën sloganin “Shkupi
2014”. Ky projekt synonte transformimin e kryeqytetit në një hapësirë që pasqyronte një
identitet të fabrikuar historik, me dominancë absolute të figurave dhe narrativave të
lidhura me një të kaluar antike të pretenduar maqedonase. Në thelb, ishte një
vazhdimësi e projektit të mëparshëm për të fshirë gjurmët e autoktonisë shqiptare dhe
iliro-arbërore, duke ngritur struktura monumentale që i përkisnin një historie të shpikur.
Kjo ishte një tentativë e qartë për të zëvendësuar identitetin multietnik të qytetit me një
narrativë monoetnike dhe ekskluzive.
Në këtë periudhë doli në dritë edhe “Enciklopedia e Akademisë së Shkencave dhe
Arteve të Maqedonisë”, e cila përfaqësonte në mënyrën më të qartë kulmin e një
mendësie që, përmes formës akademike, përpiqej të delegjitimonte praninë historike të
shqiptarëve. Në këtë botim zyrtar, shqiptarët përshkruheshin si popull ardhacak, të
zhveshur nga çdo e drejtë historike mbi këtë hapësirë, duke përdorur një gjuhë që
kufizohej me ksenofobinë dhe racizmin e hapur. Ky produkt shkencor, i cili shkaktoi
reagime të forta nga faktori politik shqiptar dhe nga bashkësia ndërkombëtare, ishte
dëshmia më e qartë se përpjekja për të ridizajnuar historinë nuk ishte vetëm projekt
politik, por edhe një doktrinë e konsoliduar akademike që synonte institucionalizimin e
përjashtimit.
Megjithatë, ndryshe nga periudhat e mëparshme, kjo fazë hasi në një rezistencë më të
madhe nga shoqëria civile, nga opinioni kritik dhe sidomos nga faktorët ndërkombëtarë,
duke bërë që projekti të mos realizohej në tërësinë e tij, por të mbetej i hapur për faza të
mëvonshme.
Me fitoren bindëse të VMRO-së në zgjedhjet e vitit 2024, rikthehet sërish një strategji e
njohur, tashmë e kamufluar me një terminologji të re “Kthimi i Shtetit ”. Nën petkun e
këtij slogani fshihet një vazhdimësi e projekteve të mëparshme, ku në epiqendër mbetet
minimi i pozitës kushtetuese të shqiptarëve dhe rishikimi i arritjeve të Marrëveshjes së
Ohrit. Ndryshe nga dy periudhat e mëhershme, kësaj here qeverisja po përdor një
strategji më të sofistikuar, duke angazhuar të gjithë oligarkinë politike, ekonomike dhe
mediatike, për të penguar avancimin e shqiptarëve në të gjitha poret e jetës publike,
kulturore dhe institucionale. Me këtë projekt, është synuar të vihet në pikëpyetje jo
vetëm barazia gjuhësore dhe kulturore, por edhe mirëqenia ekonomike dhe përfaqësimi
politik i shqiptarëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, përballë sfidave të integrimit evropian dhe veçanërisht
bllokadës bullgare, ka zgjedhur një qasje të përmbajtur në pamje të parë, por në thelb të
llogaritur politikisht, ku dështimi për të ndërmarrë hapa konkrete drejt zgjidhjes së
ngërçit diplomatik po maskohet si “mbrojtje e identitetit kombëtar”. Në vend të një
angazhimi të qartë drejt BE-së, ai po ushqen një retorikë që e paraqet Brukselin si
burim presioni dhe kompromisesh të rrezikshme, ndërsa shfrytëzon ndjeshmërinë e
opinionit publik për të rritur kapitalin politik përmes nacionalizmit të butë, por të
vazhdueshëm. Keqinterpretimi i qëllimshëm i deklaratës së komisioneres Marta Kos, ku
thelbi i mesazhit për forcimin e identitetit përmes integrimit u anashkalua në favor të një
metafore periferike si “ajvari”, tregon përpjekjen për ta banalizuar diskursin evropian dhe
për ta zëvendësuar me një narrativë populiste që krijon imazhin e një Maqedonie të
rrethuar dhe të kërcënuar.
Kjo qasje, në mënyrë të kamufluar, po përgatit opinionin për një orientim të ri politik larg
përkushtimit euroatlantik dhe më pranë një “boshti alternativ” që përfshin afrimin me
politikën rajonale serbe, forcimin e marrëdhënieve me Hungarinë dhe krijimin e
hapësirës për ndikime ruso-kineze, të cilat prezantohen si bashkëpunime të natyrshme
dhe pa kosto politike. Ky devijim strategjik nuk artikulohet hapur, por manifestohet
përmes sinjaleve diplomatike, zgjedhjes së partnerëve të rinj dhe shmangies nga
agjenda reformuese evropiane, duke paraqitur këtë kthesë si një “ruajtje e sovranitetit”
ndërkohë që në thelb përfaqëson një stagnim të qëllimshëm dhe një zbehje të
perspektivës evropiane të vendit. Në këtë mënyrë, identiteti nuk po mbrohet ai po
instrumentalizohet për të justifikuar një politikë të mbyllur, të llogaritur për konsum të
brendshëm dhe të orientuar drejt një rruge që rrezikon të largojë Maqedoninë e Veriut
nga qendra e proceseve demokratike euroatlantike.
Një dimension shtesë i kësaj strategjie devijuese është rikthimi i politikës së njohur
bizantine “përça dhe sundo”, e cila ka për qëllim jo vetëm të dobësojë përfaqësimin
politik të shqiptarëve, por edhe të deatomizojë faktorin politik shqiptar në shumë
fraksione të vogla dhe të papërfaqësuara fuqishëm. Kjo politikë është ndërtuar mbi një
model të vjetër që e sheh shqiptarësinë si element të jashtëm dhe të rrezikshëm për
strukturën e shtetit, duke e eksportuar narrativën serbe të shekujve XIX-XXI, ku
shqiptarët stigmatizohen si element antishtetëror, të lidhur me krimin dhe të paaftë për
bashkëjetesë institucionale. Në këtë frymë, edhe konfrontimi i brendshëm në skenën
politike shqiptare shpesh i reduktuar në akuza të ndërsjella për krim është pjesë e një
inxhinierie politike që ka për qëllim zhbërjen e unitetit përfaqësues dhe uljen e
kapaciteteve për të ndikuar në proceset shtetformuese. Kjo është një qasje e
trashëguar nga mekanizmat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe
aparatit shtetëror të saj, që për më shumë se dy shekuj e kanë përshkruar shqiptarësinë
me etiketime nënçmuese, fyese dhe jashtë çdo rendi institucional. Kjo logjikë
përjashtuese po ripërsëritet nga kryeministri aktual Hristijan Mickoski, i cili, nëpërmjet
një pakt të heshtur me oligarkinë maqedonase dhe atë serbe, ka avancuar një qasje
selektive të drejtësisë, ku kriminalizohet vetëm shqiptari dhe anashkalohen krimet
politike dhe ekonomike të segmenteve të tjera të shoqërisë. Kjo përpjekje për të
delegjitimuar institucionet përmes etnizimit të fajit dhe për të zhbërë arritjet kushtetuese
të shqiptarëve përbën një kërcënim serioz për kohezionin ndëretnik dhe për të ardhmen
demokratike të shtetit.
Projektet ideologjike të nisura me “Shkupi 2014”, të cilat synonin transformimin e
identitetit shtetëror mbi baza monoetnike dhe përjashtuese, edhe pse u ndërprenë pas
rënies nga pushteti të VMRO-së për shkak të reagimeve të ashpra të brendshme dhe
ndërkombëtare, nuk janë as braktisur e as arkivuar. Me rikthimin në pushtet në vitin
2024, kjo parti ka iniciuar një strategji të re për rifinancimin dhe jetësimin e këtyre
projekteve përmes Ministrisë së Kulturës, duke siguruar buxhete të dedikuara për
ringjalljen e monumenteve dhe strukturave që mishërojnë një narrativë të rremë
historike dhe një vizion të ngushtë etnik për shtetin. Paralelisht me këtë, janë përgatitur
teza të reja të rrezikshme historike dhe ideologjike, pa përfshirjen e historianëve
shqiptarë dhe pa asnjë debat gjithëpër fshirës akademik, të cilat kanë zënë vend në
programet arsimore dhe tekstet shkollore, shpeshherë me përmbajtje fyese dhe nxitëse
ndaj shqiptarëve. Këto përmbajtje jo vetëm që janë të papranueshme nga aspekti
shkencor dhe etik, por për bëjnë edhe një kërcënim real për stabilitetin e brendshëm
dhe për frymën e bashkëjetesës në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut. Ky
reaktivizim i projekteve famëkeqe, që përfaqësojnë një ideologji përjashtuese dhe
revizioniste, rrezikon të ringjallë tensionet ndëretnike dhe ndërefetare në vend, duke
minuar jo vetëm frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe perspektivën euroatlantike të
shtetit.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se ndryshe nga përpjekjet për përjashtim dhe mohim,
shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë treguar një përkushtim të palëkundur dhe pa
kushte ndaj mbështetjes së identitetit maqedonas, edhe atëherë kur ai ishte i kontestuar
nga të gjitha anët dhe i kërcënuar në legjitimitetin e tij. Kjo mbështetje nuk ka qenë
vetëm simbolike, por është dëshmuar në mënyrë konkrete në momentet më të vështira
historike nga shpallja e pavarësisë në vitin 1991, përmes krizave të brendshme dhe
sfidave ndërkombëtare, deri te përpjekjet për anëtarësim në NATO dhe BE. Shqiptarët,
ndonëse shpesh të përjashtuar nga proceset zyrtare të ndërtimit të identitetit dhe
narrativës shtetërore, kanë qëndruar të vendosur në ruajtjen e stabilitetit dhe
bashkëjetesës demokratike, duke dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në
afirmimin e një identiteti maqedonas me kontinuitet historik, gjithëpërfshirës dhe të
orientuar drejt vlerave perëndimore.
Roli i faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm. Ashtu si në vitin
2001, edhe sot është e nevojshme një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e partnerëve
strategjikë për të garantuar paqen, barazinë dhe stabilitetin. Ky është momenti kur
qytetarët e këtij vendi, pa dallim etnie apo besimi, duhet të zgjedhin midis izolimit dhe
integrimit, midis narrativës së frikës dhe urrejtjes ose rrugës së paqes, bashkëjetesës
dhe dinjitetit evropian.
Përpjekjet për të rindërtuar një identitet monoetnik përmes deformimit të historisë dhe
përjashtimit të shqiptarëve nuk janë thjesht politikë ditore ato janë një projekt afatgjatë
që synon të ndryshojë vetë strukturën e shtetit. Kthimi i kësaj qasjeje përmes sloganit
“Kthimi i Shtetit” është në thelb kthim pas: drejt përçarjes, drejt autokracisë, dhe larg
vlerave të BE-së dhe NATO-s. Nëse kjo nuk ndalet, Maqedonia do të zhbëhet si projekt
i një shteti demokratik multietnik. Zgjidhja është krijimi i një fronti të ri demokratik që
refuzon rikthimin në histori të rreme dhe kërkon një të ardhme të përbashkët, evropiane.
Zgjedhja është më urgjente se kurrë: ose integrim, ose izolim.
Shkup, 07 korrik 2025