Driton Sulejmani – përfaqësues i VLEN
VLEN ngre alarmin ndaj një provokimi të rëndë, të ulët dhe të rrezikshëm, orkestruar nga aleanca destabilizuese BDI – Levica – Danella Arsovska, e cila po tenton të ndezë zjarrin e përçarjes ndëretnike në zemër të Shkupit, përmes rivendosjes skandaloze të monumentit të Andon Lazov–Qosetos, figurë e errët dhe e dhunshme që simbolizon urrejtjen, dhunën dhe përçarjen.
Ky nuk është akt naiv. Është një provokim i qëllimshëm, i mirëplanifikuar dhe thellësisht antishqiptar, që vjen nga një treshe politike e rrezikshme për paqen, për stabilitetin dhe për kohezionin e brendshëm të vendit. VLEN nuk do të heshtë para këtij turpi dhe as qytetarët nuk do të gëlltisin më mashtrimet e vjetra të BDI-së dhe partnerëve të saj ekstremistë.
A jemi sërish dëshmitarë të skenarëve të njohur destabilizues të cilët BDI i aktivizon sa herë është në krizë politike dhe zgjedhore?
A është ky monument, një tjetër kartë e vjetër që përdoret për të larguar vëmendjen nga dështimi total i qeverisjes së tyre, nga korrupsioni dhe kriminaliteti politik që i përndjek?
Të nderuar
Ne pyesim publikisht: A është vendimi për ta rikthyer Qoseton marrë brenda zyrave të Sarajit, aty ku ende funksionon një “shtab i errët” i përbashkët i Arsovskës dhe Blerim Bexhetit?
Kush e dha urdhrin për këtë provokim? A e miratoi BDI në heshtje këtë akt për të vazhduar marrëveshjen e saj të fshehtë me Danella Arsovskën?
Në një kohë kur qyteti i Shkupit po mbytet në plehra, ku qindra familje e biznese nuk kanë ujë as për të pirë, kur vapa po rrezikon shëndetin e qytetarëve, këta të tre merren me monumente dhe tensione ndëretnike!
Dhe nuk është hera e parë. Rikujtojmë se përmendorja e Qosetos u ndërtua nga paratë e qeverisë ku BDI ishte në pushtet dhe ministrat Bujar Osmani e Blerim Bexheti e mbështetën projektin. Po pse heshtin sot? Pse nuk reagojnë?
A po e toleron BDI këtë akt për t’ia bërë qejfin partneres së tyre të fshehtë në Shkup, Danella Arsovskës?
A është ky provokim një përpjekje e mjerë për të mbuluar krisjet dhe ndarjet e pashmangshme brenda “Frontit Europian”?
VLEN dënon me forcë këtë tentim për destabilizim, që nuk është as spontan, as i rastësishëm, por pjesë e një skenari më të gjerë politik të cilin qytetarët tashmë e njohin. BDI, Levica dhe Arsovska janë një treshe toksike që ushqehen me krizë dhe ndasi, një kërcënim i hapur për paqen dhe kohezionin tonë shoqëror. E ritheksojmë: qytetarët nuk do të bien më në kurthet e skenarëve të konsumuar!
Nuk do t’u besojnë më atyre që pas çdo provokimi fshehin një tender, një aferë, një krizë brenda koalicionit të tyre të rrejshëm.
VLEN është zëri i stabilitetit, i bashkëjetesës, i të vërtetës dhe i përgjegjësisë politike.
Dhe së fundi, një mesazh për opinionin: Qoseto nuk është çështje monumenti, është çështje morali politik! Dhe në këtë moral, BDI ka falimentuar me kohë.