VLEN dështon të përmirësojë gjendjen e shqiptarëve edhe pas një viti qeverisje – Gjendja po përkeqësohet

Pas një viti pjesëmarrje në qeverisje, koalicioni VLEN ka dëshmuar paaftësi të plotë për të ndryshuar realitetin e hidhur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Gjendja jo vetëm që nuk është përmirësuar, por përfaqësimi i shqiptarëve po përkeqësohet në mënyrë të rrezikshme dhe të qëllimshme.
Sot, siç ishin edhe dje, këto institucione mbeten “zona të ndaluara” për shqiptarët:
0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Tigrat”
0 shqiptarë në Njësinë Speciale “Ujqit”
0 shqiptarë në Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë
0 shqiptarë në Drejtorinë e Zonave të Lira Ekonomike
0 shqiptarë në Akademinë e Shkencave
0 shqiptarë në Agjencinë e Filmit
Disproporcioni në punësime është alarmant. Shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga institucionet shtetërore, pa asnjë reagim nga qeveria aktuale. Nuk ka asnjë transparencë në punësime, nuk ka përfshirje të drejtë, nuk ka barazi.
Përkundrazi, kjo qeveri po kthehet në një strukturë monoetnike që marginalizon shqiptarët, duke dëshmuar se nuk ka as vullnet as kapacitet për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit apo për të garantuar përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
VLEN mundohet të mbulojë dështimin me propagandë, duke reklamuar se ka punësuar “10 shqiptarë” në HEC Vërtok, por harron të përmendë se në të njëjtin institucion, në të njëjtën periudhë dhe në mes të Gostivarit, janë punësuar 55 maqedonas. Ky është një shembull i qartë i mashtrimit përmes shifrave të vogla, ndërkohë që disproporcioni në përfaqësim vazhdon të thellohet në mënyrë të turpshme dhe të qëllimshme.
Kjo ishte edhe arsyeja parimore pse Aleanca për Shqiptarët vendosi ta braktisë këtë qeveri dhe grupimin VLEN, që tashmë ka humbur çdo kuptim politik dhe moral të qendrimit në pushtet. Një qeveri që u jep prioritet përfaqësuesve të “Botës Serbe”, përmes zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, ndërsa përjashton shqiptarët, nuk mund të quhet euroatlantike, as shumëetnike.
Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë barazi reale, përfaqësim dinjitoz dhe pjesëmarrje të drejtë në çdo hallkë të shtetit. Ne nuk do të jemi pjesë e asnjë pushteti që i sheh shqiptarët si numra statistikash apo i mban jashtë dyerve të institucioneve.Koha e heshtjes mbaroi. Koha e llogaridhënies ka ardhur.
Aleanca për Shqiptarët