VLEN dënon ashpër aksionin tendencioz për rivendosjen e monumentit të Andon Lazov- QOSETO në regji të Kryetares në ikje të qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Ky akt paraqet provokimin e radhës të inskenuar nga ana e aleancës së ”errët “Arsovska- BDI-Levica, dhe është tentim për të rrënuar marrëdhëniet ndëretnike duke rikthyer temat polarizuese dhe konfliktuese ndaj të cilave shoqëritë ndëretnike janë të ndjeshme.

Tema e Qoseto-s u rihap në prag të fushatës për zgjedhjet lokale. A ishte ky vendim i koordinuar nga shtabi i Danella Arsovskës në Saraj? Ndërkohë që qyteti po mbytet në plehra e familje të tëra, amvisëri e biznese po jetojnë verën më të nxehtë në historinë e vendit pa ujë, Arsovska me partnerët e saj BDI dhe Levica merren me nxitjen e tensioneve ndëretnike dhe kërcënimin e stabilitetit.

VLEN rikujton opinionin se përmendorja e QOSETO-s u ndërtua nga paratë e Qeverisë në të cilën Bujar Osmani dhe Blerim Bexheti ishin ministra të BDI-së si partner qeveritar. Ky akt qyqar i kryetares në ikje ka vetëm një qëllim: vazhdimin e skenarëve destabilizuese dhe përpjekje për të sfiduar stabilitetin e institucioneve.

Kryetarja e dështuar Arsovska dhe partnerët e saj- BDI dhe LEVICA nuk do t’ia dalin. Fytyrat e tyre janë të demaskuara plotësisht. Skenarët e tyre janë të lexuar dhe nuk i beson askush. Qytetarët do ta dënojnë këtë koalicion destruktiv në zgjedhje me votë dhe do t’i dërgojnë përfundimisht në pension politik politikanët destruktivë.