Koalicioni VLEN ka publikuar sot një bilanc të detajuar të masave të ndërmarra në sektorin e bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, duke theksuar progresin e bërë dhe ndikimin real në jetën e fermerëve dhe komuniteteve rurale.

“Këto nuk janë vetëm shifra. Janë ndryshime reale në jetën e bujqve, fermerëve, punëtorëve pyjorë dhe gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë në fshat,” thuhet në kumtesën zyrtare të VLEN.

Që nga marrja e mandatit, janë shlyer mbi 9 miliardë denarë subvencione për mbi 70.000 bujq, duke zhbllokuar pagesat e vonuara nga qeveria e kaluar. Ndër masat e realizuara, VLEN thekson:

Subvencioni më i lartë ndonjëherë për duhanin – 2.43 miliardë denarë
656 milionë denarë për qumështin, 602 milionë për lopët e shënuara, dhe 625 milionë për kulturat bujqësore
Mbështetje për delet, qengjat, bletarinë dhe prodhimin me farë të certifikuar
Nëpërmjet masave ndërhyrëse janë përballuar vështirësitë e tregut:

5 den/kg për kumbullat
3 den/kg për grurin e dorëzuar nga viti i kaluar
6 den/kg për orizin e grumbulluar sivjet
Rritje 100% e subvencioneve për elbin
Rritje rekord për çmimin e duhanit
“Me koordinim të drejtpërdrejtë me blerësit, kemi arritur çmimin më të lartë historik për duhanin – nga 375 në 400 den/kg, ndërsa subvencioni u rrit nga 80 në 100 den/kg,” thekson VLEN.

Kjo ka sjellë një rritje prej 4.5 miliardë denarësh në vlerën eksportuese dhe një zgjerim të sipërfaqeve të mbjella nga 12.959 ha në vitin 2024 në 14.475 ha për vitin 2025.

Investime për bujqësi moderne dhe mundësi për të rinjtë
Nga Programi për Zhvillim Rural janë hapur thirrje për mbështetje të fermerëve të rinj me grante 10.000 euro, si dhe për modernizimin e ekonomive bujqësore me pajisje të reja, sisteme ujitjeje dhe investime në prodhimin e verës dhe birrës artizanale.

Po ashtu, nga programi IPARD janë shpallur thirrje për:

14 milionë euro për diversifikimin e fermave
7.4 milionë euro për investime në asete themelore
Zgjidhje për sistemet ujitëse dhe institucionet bujqësore
VLEN njofton se janë investuar 132 milionë denarë shtesë për ujitje, dhe është zgjidhur përfundimisht ngërçi për sistemin e ujitjes Kolibar–Cërvicë në Kërçovë, ndërhyrje e drejtpërdrejtë e zëvendësministrit Albrim Hoxha.

Institucionet kërkimore dhe akademike si Instituti i Duhanit në Prilep, Instituti për Blegtori dhe Peshkim, dhe Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin e Tetovës, janë mbështetur me 61.5 milionë denarë.

Reforma ligjore dhe thjeshtim i procedurave
VLEN thotë se tashmë fermerët dorëzojnë deklaratën e prodhimit vetëm një herë në vit, duke përfituar nga thjeshtimi i procedurave dhe ndryshimet në ligjet për pyjet, tokën bujqësore, gjahun dhe fitofarmacinë.

Po përgatitet edhe një ligj i ri për bujqësinë dhe zhvillimin rural, mbi bazën e një debati publik dhe rishikimit të Strategjisë Kombëtare.

Mbështetje për pylltarët dhe shoqatat rurale
Me ndërhyrje të drejtpërdrejtë janë shlyer pagat e prapambetura për NP “Pyjet Kombëtare” dhe SHA “Ekonomia e Ujërave”, ndërsa është pranuar kërkesa për njohjen e stazhit të beneficuar për policinë pyjore.

Në vitin 2025, 54 shoqata rurale janë mbështetur me 10.9 milionë denarë për organizim panaireve dhe aktiviteteve promovuese.

“Si Koalicion VLEN, kemi qenë pranë bujqve shqiptarë. Kemi rritur subvencionet, kemi mbështetur fermerët e vegjël dhe kemi hapur mundësi të reja për investime,” përfundon kumtesa.