Me kënaqësinë më të madhe dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie publike, sot ndaj me ju një lajm të jashtëzakonshëm, që ka në fokus zhvillimin e qëndrueshëm dhe barazinë infrastrukturore në vendin tonë. Pas një pune intensive, përkushtuese dhe profesionale, sot kemi arritur të finalizojmë dhe miratojmë një pako të dytë investimesh madhore në kuadër të thirrjes së Qeverisë për mbështetje të pushtetit lokal, nëpërmjet Ministrisë së Transportit.
Kjo pako përfshin 238 projekte konkrete në mbi 20 komuna shqiptare dhe komuna me përqindje të lartë të popullatës shqiptare, me një buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.miliardë denarësh, apo mbi 50 milionë euro. Ky nuk është një investim simbolik, por një kthesë e madhe në qasjen institucionale ndaj komunave shqiptare, të cilat për dekada janë lënë në harresë.
Projektet e miratuara përfshijnë: Ndërtimin dhe rikonstruimine rrugëve lokale, zgjerimin e rrjeteve të ndriçimit publik, konstruktimin e urave dhe kanaleve të ujërave të zeza dhe atmosferike, investime në infrastrukturë jetike, që prekin drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve.
Të dashur qytetarë,
Këto investime nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një pune të planifikuar mirë, e cila reflekton një përkushtim të sinqertë dhe konkret për të zhvilluar ato pjesë të vendit ku më së shumti është ndjerë mungesa e shtetit.
Komunat përfituese nga kjo pako investimesh janë:
Çair: 182 milionë denarë
Tetovë: 478 milionë denarë
Gostivar: 382 milionë denarë
Zhelinë: 115 milionë denarë
Saraj: 179 milionë denarë
Dibër: 120 milionë denarë
Bogovinë: 116 milionë denarë
Studeniçan: 129 milionë denarë
Dollnen: 97 milionë denarë
Kërçovë: 292 milionë denarë
Vrapçisht: 85 milionë denarë
Butel: 138 milionë denarë
Bërvenicë: 58 milionë denarë
Haraçinë: 53 milionë denarë
Likovë: 141 milionë denarë
Strugë: 183 milionë denarë
Tearcë: 55 milionë denarë
Çashkë: 36 milionë denarë
Shuto Orizarë: 177 milionë denarë
Sopishtë: 35 milionë denarë
Ky është modeli që përfaqëson Qeveria VLEN, një model i punës që shihet, ndjehet dhe sjell ndryshim të vërtetë në jetën e përditshme të njerëzve.
VLEN ka ardhur që të ndryshojë realitetin dhe këtë po e bën me projekte, jo me premtime. Me qasje të barabartë për të gjithë, me zhvillim të ndershëm dhe të shpërndarë drejt atyre që realisht kanë nevojë.
Në emër të Ministrisë së Transportit dhe në bashkëpunim të plotë me Qeverinë dhe përfaqësuesit e VLEN, ju siguroj se ky është vetëm fillimi i transformimit infrastrukturor, që do të prekë çdo cep të komunave shqiptare dhe të margjinalizuara prej vitesh.
Sot, kemi dëshmuar se kur ka vullnet, ka mundësi. Dhe mbi të gjitha VLEN të punohet për qytetarët!