Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë ndaj qëndrimit të grupimit politik FLEN, i cili ka dhënë pëlqimin e tij të heshtur dhe të dëmshëm për projektligjin e ri për lojërat e fatit, një iniciativë që është përgatitur dhe drejtohet nga VMRO-DPMNE, dhe që pritet të miratohet në Qeveri këto ditë për t’u proceduar më tej në Kuvend.

Ky ligj nuk sjell asnjë përmirësim real për shoqërinë shqiptare. Përkundrazi, ai përforcon dhe zyrtarizon praninë e industrisë së bixhozit në afërsi të komuniteteve tona, me pasoja të drejtpërdrejta sociale, ekonomike dhe psikologjike, sidomos për rininë shqiptare.

Narrativi i vetëm që FLEN po përgatitet për të përdorë për të arsyetuar këtë bashkëfajësi është manipulues dhe mashtrues: pretendojnë se ligji i ri do të vendosë distancë fizike prej 500 metrash mes kazinove dhe objekteve shkollore – një propozim që ka qenë edhe më parë në draftin e vjetër dhe nuk ka prodhuar asnjë rezultat në terren.

E vërteta është ndryshe: drafti aktual ka futur një klauzolë të re që shtyn në pafundësi afatin për zbatimin e kësaj distance, duke mos prekur asnjë nga objektet ekzistuese që ndodhen pranë shkollave. Me fjalë të tjera, kazinoja mbetet aty ku është, vetëm se tani do të jetë e ligjshme – me bekimin e FLEN dhe urdhrin e VMRO-së.

Është e qartë për çdo qytetar se FLEN nuk ka as fuqi vendimmarrëse, as zë, as guxim politik për të mbrojtur interesat e shqiptarëve. Po pranon çdo vendim që i servohet nga VMRO-DPMNE, duke e dëshmuar edhe një herë se është pjesë e pushtetit vetëm për interesa personale, klienteliste dhe financiare.

Ky është edhe një premtim tjetër i pambajtur nga FLEN ndaj elektoratit shqiptar, të cilin e gënjyen me premtime për “moral politik” dhe “standarde të reja”, por që sot janë shndërruar në garant të interesave të industrisë së bixhozit dhe servilë të politikave destruktive të VMRO-së.

Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se vazhdimi i këtij kursi politik përjashtues dhe i dëmshëm do të marrë fund në tetor, kur shqiptarët do të japin një përgjigje të qartë ndaj atyre që flenë për interesin kolektiv dhe zgjohen vetëm për pazaret e tyre personale.

Lojërat e fatit nuk janë zhvillim. Janë kolaps moral, shoqëror dhe ekonomik. Pranimi i këtij ligji është pranim i kolapsit.

Aleanca për Shqiptarët