VV e NISMA konfirmojnë për sot takimin Kurti-Limaj, por nuk e tregojnë kohën: A do të ketë marrëveshje?

Sot për të 49-tën herë dështoi përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Para e pas seancës së sotme, ndër pyetjet kryesore të gazetarëve drejtuar deptuetëve ishte takimi i paralajmëruar për sot mes kryetarit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe atij të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Nga VV dhe nga Nisma folër për këtë takim, por nuk treguan as orën e mbajtjes së takimit e as vendin, shkruan Reporteri.net.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, konfirmoi se takimi do të zhvillohet sot mes Kurtit e Limajt, por pa treguar kohën e mbajtes.
“Presim që sot të zhvillohet takim, pres një sinjal pozitiv nga ky takim që besoj se do të ndodhë sot. Pres sinjal pozitiv dhe vullnet politik nga lideri i VV-së. Ky është realiteti politik, Nisma e ka zgjat doren e bashkëpunimit. Presim nga lideri i VV-së të shihet se ka vullnet. Të largohemi nga ky ngërrç, kjo mundësi ekziston”, tha Izmaku.
Ajo tha se emri i Limajt është një mundësi e jo kusht.
“Nuk është kusht, është mundësi, më e mira që i ofrohet vendit në këtë moment. Limaj do t’i merrte votat. Është mundësia me dalë nga ky ngërç”, deklaroi sot Izmaku.
Kurse, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, tha se partia e tij është e gatshme për marrëveshje edhe me subjektet tjera politike.
“Takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe grupeve parlamentare, VV-ja është duke i bërë vazhdimisht. Jo sot, por edhe dje, edhe pardje, edhe nesër. Me Limajn sigurisht, por edhe të tjerë që shprehin vullnet dhe gatishmëri”, deklaroi Abrashi.
“Kurti nuk e jep postin e kryekuvendarit”
Për takimin e paralajmëruar Kurti-Limaj kanë folur edhe deputetë të partive të tjera.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka folur pas dështimit të 49-të të seancës për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, i cili tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e jep postin e kryeparlamentarit.
Ai tha se nuk pret sot marrëveshje mes Kurtit e Limajt.
“Pak besoj që do të ketë marrëveshje duke e njohur Albin Kurtin, jam skeptik. Ai ka kogja problem me dhënë kryetarin e Kuvendit”, tha Reçica,
Deputeti i PDK-së nuk u deklarua nëse ka votë për kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nëse propozohet të hënën për kryekuvendar, kur u pyet nga gazetarët.
Mendim të njejtë shprehu edhe deputetja Duda Balje e cila tha se nuk besoj që do të ndryshohet emri i Albulena Haxhiut për kryekuvendare.
“Bash mirë, unë shpresoj që ata kanë me ba një marrëveshje mes veti. E personalisht, mendimi im është që nuk ka me ndryshuar Albulena. Edhe nuk besoj që do të shkojë te votimi i hapur,” tha ajo.
A do ta votonin Limaj për kryeparlamentare, flasin nga PDK e AAK
Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë dhënë sinjale se mund ta votonin Limajn për kryetar të Kuvendit nëse propozohet.
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura ka deklaruar se mendon që partia, pjesë e të cilës është ai do ta votojë kryetarin e Nismës Sociademokrate, Fatmir Limaj për postin e kryeparlamentarit.
“Unë mendoj që Fatmir Limaj një kohë e ka treguar një virtyt, një aset të cilin e vlerësoj shumë dhe për me pasë një pozitë shtetërore duhet ta do këtë vend. Mendoj që Fatmir Limaj e do të këtë vend. PDK-ja ka interesim që të krijohen institucionet sa më parë, shpresoj se PDK-ja do t’ia japë votën Fatmir Limajt”, tha Nura, sot para seancës së 49-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Por, “JO”, edhe AAK-ja.
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj para seancës të 49-të konstitutive të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk do të ketë votë për kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Prej fillimit e kemi thënë që këta e kanë një marrëveshje, zoti Limaj, që janë taku disa herë, sigurisht që bien në dakordancë votën time zoti Lima nuk do ta ketë. Ne i kemi dhënë propozimet tona që kushdo prej VV që nuk është në qeveri e paguajmë, por zoti Limajn jo! Fer dhe e ndershme do të ishte po të thoshte ‘unë këtu i ndaj rrugët’, e jo me marrë vesh përmes medias. Ata kanë në parim marrëveshje edhe me Listën Serbe, pas çdo seance pas përfundimit, Lista Serbe, zoti Limaj dhe VV e lëshojnë sallën, ndërsa lista serbe”, tha Brahimaj.
Kujtojmë se seanca e radhës, konkretisht përpjekja e 50-të për të konstituar Kuvendin është caktuar për të hënën nëora 11:00. /Reporteri.net/.