Një tjetër përpjekje e dyshimtë për trafik të lëndëve narkotike është ndalur në Vendkalimin Kufitar Tabanoc, ku nëpunësit policorë kanë arrestuar një shtetas shqiptar, pasi në automjetin që drejtonte u gjetën paketime me substancë të bardhë pluhurore, e dyshuar si drogë.

Ngjarja ndodhi më 27 korrik 2025, në orën 10:46, kur gjatë kontrollit kufitar në hyrje të shtetit, E.C. (24) nga Republika e Shqipërisë, që drejtonte një veturë tip Volkswagen Tiguan me targa italiane, u ndalua për verifikim të hollësishëm.

Gjatë kontrollit në automjet, policia zbuloi dhe sekuestroi disa paketime të mbështjella me materie të bardhë pluhurore, e cila dyshohet të jetë substancë narkotike.

Menjëherë pas konstatimit, personi u privua nga liria dhe u shoqërua në stacionin policor për procedura të mëtejshme, ndërkohë që prokurori publik është njoftuar për rastin.

Autoritetet njoftojnë se pas ekspertizës dhe dokumentimit të plotë të materialit të sekuestruar, ndaj E.C. do të ngrihet kallëzim penal përkatës, sipas dispozitave të ligjit penal për trafikim të lëndëve të ndaluara.

Ky është një tjetër rast që tregon vigjilencën e shtuar të policisë kufitare ndaj tentativave të kontrabandimit përmes pikave hyrëse strategjike si Tabanoci.TS