Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejd, ka përshëndetur votimin e ligjit që barazon medresenë me shkollat e tjera të mesme publike, duke e cilësuar këtë si një hap historik drejt drejtësisë dhe barazisë në sistemin arsimor.

Më poshtë shkrimi i plotë i Zejdit:

Urime për medresantët dhe për barazinë në arsim!

Sot u hodh një hap historik drejt drejtësisë dhe barazisë në sistemin arsimor të vendit tonë!
Me votimin e ligjit për shkollat e mesme fetare – në veçanti për medresenë – ajo tashmë përfundimisht barazohet me të gjitha shkollat publike, duke i dhënë fund një padrejtësie të gjatë ndaj nxënësve që kanë ndjekur këtë rrugë arsimore me përkushtim dhe dinjitet.

Ky ligj nuk ishte vetëm një nevojë ligjore – ishte një detyrim moral dhe shoqëror. Dhe ishte Fronti Europian ai që e mundësoi këtë drejtësi, duke vendosur për ta votuar dhe duke siguruar shumicën e nevojshme të Badinterit – që garanton përfaqësimin e barabartë etnik.

Nga 28 deputetë të komuniteteve joshumicë, 27 votuan PRO dhe vetëm një kundër. Nga këta, 15 vota erdhën nga Fronti Europian, dhe vetëm 10 nga VLEN.

Urime të përzemërta për të gjithë nxënësit e medresesë, të cilët për vite me radhë janë përballur me paragjykim, diskriminim dhe padrejtësi institucionale. Sot, më në fund, fjalët “barazi” dhe “respekt” morën kuptim të vërtetë edhe për ta.