Nis pazari i ri mes Alternativës së Zekës dhe LD-së së Izetit.
Siç mëson ekskluzivisht TS, në tavolinën e VLEN ka një pazar të ri që po flitet për ndarjen e komunave. TS mëson më tej se Alternativa është pajtuar t’ia japë Çairin dhe Sarajin LD-së në këmbim të Ministrisë së Ekologjisë dhe MEPSO-s.

Ky pazar mes Izet Mexhitit dhe Zeqirja Ibrahimit është më i thellë sesa duket, sepse sipas TS, ish-lideri Afrim Gashi nuk ka dijeni për këtë marrëveshje. Por, pse Zeqirja Ibrahimi jep komuna për poste dhe jo për forcë politike në zgjedhjet lokale që mund të fitohet?

Sipas burimeve të TS, Zeqirja Ibrahimi këtë pazar e bën vetëm për interes personal, jo për interes të partisë. Me këtë marrëveshje, ai e dëmton të ardhmen e Alternativës, pasi pas zgjedhjeve lokale, kjo parti rrezikon të shumëzohet me zero dhe të mos fitojë asnjë komunë.

Nuk dihet ende si do të jetë reagimi i anëtarësisë dhe i Afrim Gashit a do të kalojë ky pazar personal i Zekës, apo do të ngulin këmbë për të marrë Sarajin ose një komunë tjetër ku mund të ketë fitore?

Nga ana tjetër, siç mëson TS, Arben Fetahu, pa ndonjë parti politike, ka siguruar më shumë komuna sesa Alternativa e Zeqirja Ibrahimit. TS mëson se Fetahu i ka Strugën, Bogovinën, Likovën dhe Shkupin.

Ndryshe, zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor të këtij viti, ku gara do të jetë shumë e ashpër sidomos në Tetovë dhe Çair.