Një zjarr ka shpërthyer mëngjesin e 27 korrikut në një depo në rrugën “Jeta e Re” në lagjen Shuto Orizarë, në rrethin e Shkupit, duke shkaktuar dëme materiale, përfshirë edhe djegien e një automjeti.

Sipas informacionit që Tetovasot e ka siguruar nga SPB Shkup, ngjarja është raportuar më 27.07.2025, në orën 07:29, kur një zjarr ka përfshirë depo-n dhe është përhapur, duke djegur një “Volkswagen Sharan” me targa të Shkupit, në pronësi të A.D. (53) nga Shkupi.

“Zjarrfikësit e Brigadës për Mbrojtje kundër Zjarrit në Shkup intervenuan shpejt dhe e shuan zjarrin, duke parandaluar dëme më të mëdha,” thonë burimet policore për Tetovasot.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk ka pasur persona të lënduar.

“Ekipi hetimor i SPB Shkup ka kryer menjëherë këqyrjen e vendngjarjes dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve që sollën këtë zjarr,” konfirmojnë burimet për Tetovasot.