Një zjarr masiv dogji disa hektar pyje me pishë të zezë në luginën e Shkopetit. Flakët u aktivizuan që pasditen e së shtunës dhe vazhduan gjatë gjithë ditës së dielë.

Ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkive Kurbin e Mat, ato të forcave të armatosura, dhe të shërbimit pyjor luftuan me flakët për ta vënë nën kontroll zjarrin por ishte e pamundur për shkak të terrenit.

Pasditen e së dielës ndërhyri edhe helikopteri i ministrisë së mbrojtes duke bërë të mundur izolimin një njërën anë të vatrës së zjarrit.

Por flakët u rishfaqën gjatë mbrëmjes ku kaluan në anën tjetër të malit, mbi digën e hidrocentralit të Shkopetit dhe mbi banesa.

Bimësia e dendur dhe terreni i thepisur ishin në favor të zjarrit për shkak se ndërhyrja nga toka ishte e pamundur.

Ndërkohë nën pushtetin e flakëve vijon të jetë edhe parku Kombëtar “Lurë mali Dejës”. Prej dy javësh zjarri ka djegur dhjetra hektar pyje me pishë të zezë dhe ahu në këtë zonë.