Zjarri në Zhelinë është lokalizuar ndërsa vijojnë përpjekjet për ta vënë plotësisht nën kontroll. Këtë e tha për Alsat, Stojançe Angellov drejtor i Shtabit për Menaxhim me Kriza duke shtuar se ekipet përkatëse janë në teren për të shuar edhe disa vatra zjarri që vazhdojnë të jenë aktive në fshatra të komunave të vendit. Për shkak të zjarrit në Zhelinë, gjatë ditës përkohësisht u mbyll autostrada Shkup-Tetovë ndërsa rruga rajonale drejt Tetovës vazhdon të jetë e mbyllur në pjesën e vatrave të zjarrit. Kreu i Zhelinës, Blerim Sejdiu dyshon se shkaktar i zjarrit është faktori njeri për të cilin tashmë ka njoftuar edhe Prokurorinë e Tetovës.
“Lajmi I mirë në këtë tragjedi është se e kemi lokalizuar zjarrin dhe nuk ka rrezik për njerëz dhe prona që pak më parë ishe një situatë shumë e frikshme dhe situatë që neve normalisht na shqetëson të gjithëve. Sipas informacioneve tona këtu janë hasur tre goma të ndezura dhe kjo vërtet është një situatë shumë e shëmtuar dhe kjo na jep një argument që të konstatojmë se është faktori njeri shkaktar i këtij zjarri për të cilën e kemi njoftuar edhe prokurorinë e Tetovës dhe do të ndërmarrim të gjitha masat për të zbuluar autorët e këtij zjarri apo e kësaj vepre të shëmtuar”, tha Blerim Sejdiu, kryetar i Komunës së Zhelinës.
Sipas Qendërës për Menaxhim me Kriza zjarre aktive ka edhe në disa komuna të tjera, respektivsiht: Vasilevë, Brod Prilep, Veles ndërsa komplet të shuara janë në komunat Likovë, Ohër dhe Shtip.