Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave zyrtarisht e ka nisur fushatën “Më e mira Maqedonase: Tradita jonë, krenaria jonë”, e cila ka për qëllim forcimin e prodhimit bujqësor vendor dhe ngritjen e vetëdijes për cilësinë e produkteve bujqësore maqedonase.

Qëllimet kryesore të fushatës “Më e mira Maqedonase” janë:

• Rritja dhe forcimi i prodhimit bujqësor vendor;

• Sigurimi i një të ardhmeje më të mirë për zonat rurale;

• Ngritja e vetëdijes për cilësinë, autenticitetin dhe rëndësinë e produkteve vendore;

• Lehtësimi i qasjes së qytetarëve te produktet bujqësore vendore dhe përpunimet nga to.

Është krijuar platforma digjitale makedonskonajdobro.mk, e cila mundëson:

• Për bujqit: Regjistrim dhe promovim të produkteve të freskëta bujqësore;

• Për përpunuesit: Prezantim të përpunimeve autentike maqedonase;

• Për qendrat e shitjes: Regjistrim të lokacioneve gjeografike të pikave të shitjes.

Platforma përfshin hartën interaktive “Ku të blej”, e cila përmes gjeolokacionit automatik u ndihmon qytetarëve të gjejnë pikat më të afërta për produkte bujqësore vendore dhe përpunime, me mundësi filtrimi sipas kategorisë apo produktit specifik.

Së shpejti do të publikohet edhe një aplikacion i veçantë mobil, i cili do të mundësojë qasje edhe më të lehtë te informacionet për produktet bujqësore vendore dhe përpunimet nga to.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave fton të gjithë bujqit, përpunuesit dhe qendrat e shitjes që të regjistrohen në platformën makedonskonajdobro.mk dhe të bëhen pjesë e kësaj nisme të rëndësishme.

Duke zgjedhur një produkt maqedonas, nuk zgjedhim vetëm ushqim apo mall – por investojmë drejtpërdrejt në ekonominë tonë, krijojmë vende të reja pune dhe forcojmë stabilitetin e vendit.