Kadriu: Maqedonia ka nevojë për barazi, jo për alibi politike – Mickoski duket i frikësuar nga uniteti i partive shqiptare

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Gezim Kadriu, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me brohoritjet raciste ndaj shqiptarëve gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë.
Në një status në Facebook, Kadriu ka theksuar se reagimi i fuqishëm i opozitës shqiptare, si dhe qëndrimet zyrtare nga Shqipëria dhe Kosova, kanë detyruar kryeministrin që të “fillojë të dëgjojë”, ndonëse në momentin e ngjarjes ka qenë vetë i pranishëm në sallë.
“Kur faktori shqiptar reagon, kryeministri dëgjon. Por kur faktori shqiptar hesht apo fle, atëherë as kryeministri nuk ka veshë të dëgjojë”, shkruan Kadriu.
Ai e cilësoi të pabesueshme pretendimin e Mickoskit se nuk i kishte dëgjuar brohoritjet fyese, si “Mrtov Shiptar – Dobar Shiptar” dhe “Gasna komora za Shiptari”, që u dëgjuan gjatë ndeshjes, ndërsa pohoi se kryeministri ka reaguar vetëm pasi pamjet dolën në media dhe pas presionit të faktorit shqiptar.
Kadriu gjithashtu komentoi edhe deklaratën e Mickoskit në Kuvend, drejtuar deputetit Halil Snopçe, ku ky i fundit akuzoi partitë shqiptare se po bashkëpunojnë për të mos lejuar kandidatë maqedonas në komunat perëndimore. Kadriu ironizoi duke thënë: “Dhe ne u frikësuam pa masë”.
Kadriu thekson se strategjia e partive shqiptare nuk ka për qëllim përçarje, por një ndërtim të përbashkët dhe drejtësi për të gjithë. Ai rendit gjashtë shtylla të kësaj strategjie:
1. Barazi për të gjitha bashkësitë etnike
2. Integrimi në BE
3. Shtet i së drejtës për të gjithë
4. Zhvillim ekonomik të balancuar
5. Luftë kundër krimit dhe korrupsionit
6. Decentralizim real, përfshirë edhe atë fiskal
“Është koha që heshtja të marrë fund, dhe zëri i shqiptarëve të dëgjohet në çdo institucion”, përfundon Kadriu.