Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj miliarderit George Soros dhe djalit të tij, Alexander Soros, përmes një postimi në platformën e tij Truth Social.
Trump i kërkoi drejtësisë amerikane që të ngrejë akuza ndaj tyre në bazë të ligjit RICO, i cili përdoret për ndjekjen penale të organizatave kriminale.
“George Soros, dhe djali i tij i mrekullueshëm i së Majtës Radikale, duhet të akuzohen me RICO për shkak të mbështetjes së tyre për Protestat e Dhunshme, dhe shumë të tjera, në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. … Soros, dhe grupi i tij i psikopatëve, i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit tonë! Kjo përfshin edhe miqtë e tij të Çmendur nga Bregu i Perëndimit. Kini kujdes, ne po ju shohim!”.
George Soros, 95 vjeç, është një nga mbështetësit më të mëdhenj të iniciativave progresiste në botë përmes Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, të cilat ai i themeloi pas dekadave të suksesit financiar në vitet ’70 dhe ’80. Fondacionet mbështesin programe për qeverisje të mirë, ndërtim demokracie dhe politika publike liberale në mbarë botën. Që prej vitit 2023, filantropia e familjes Soros drejtohet nga djali i tij, Alexander Soros.
RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act) është një ligj federal amerikan i miratuar për të luftuar krimin e organizuar – zakonisht përdoret për raste të zhvatjes, mashtrimit dhe korrupsionit – jo për aktivizëm politik apo financim protestash.
George Soros ka qenë prej kohësh shënjestër e teorive konspirative, që e paraqesin si figurë që manipulon ngjarjet botërore. Shumë prej këtyre pretendimeve janë hedhur poshtë nga burime të besueshme dhe fakt-kontrollues ndërkombëtarë.
Fondacioni i tij Open Society Foundations ka financuar grupe të shoqërisë civile dhe organizata avokimi. Nuk ka asnjë provë të verifikuar që Soros ose djali i tij të kenë organizuar apo financuar protesta të dhunshme.