Në repartin e Gjinekologjisë të Spitalit Klinik të Tetovës, gjatë këtij viti kanë lindur gjithsej 510 fëmijë, bën të ditur shefja e repartit, gjinekologia Merale Rexhepi. Sipas saj, krahasuar me një vit më parë, numri i lindjeve është rritur për rreth 10 për qind, ndërsa këtë rritje të lindjeve në këtë spital ajo e lidh drejtpërdrejt me renovimin e repartit dhe zgjerimin e stafit mjekësor. Ajo shtoi se numri i foshnjave të lindura është thuajse i balancuar mes djemve dhe vajzave, çka tregon një shpërndarje natyrale të lindjeve në rajonin e Tetovës.
“Si zakonisht përqindja mes dallim mes meshkujve eh femrave është shumë i vogël në gjashtë mujorin e parë në vitin 2025. Nga 510 lindje – 256 ishin meshkuj dhe 254 ishin femra. Në krahasim me vitin 2024 sivjet jemi në rritje për 10% për gjashtëmujorin e parë. Bëhet çdo mënyrë e lindjes. Në repartin tonë mbisundojnë lindjet spontane, për të cilën ne edhe mundohemi edhe vetë, pasi lindjet spontane janë lindje të preferuara si nga ana e nënave, si nga ana personeli mjekësor, pasi që shkojnë me më pak komplikime, është më natyrale, prezenca e pacientëve në spital është më e shkurtër”, tha Meral Rexhepi – kryeshefe e Repartit të Gjinekologjisë – Spitali i Tetovës.