Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot seancën pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi 30 ditë për konstituimin e këtij institucioni.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, ka të drejtën për të propozuar emrin për kryeparlamentar, i cili zgjedhet përmes votimit të hapur dhe se i njëjti kandidat votohet jo më shumë se 3 herë.

Kjo parti sot vazhdoi me emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk mori votat e nevojshme, e më pas e provoi edhe me Donika Gërvallën, që po ashtu dështoi, raporton Klankosova.tv

Klan Kosova do ta mbulojë seancën e sotme me një edicion special, që do t’i sjellë të gjitha zhvillimet.

Krasniqi i qartë: PDK voton një kandidat të VV-së që s’ka qenë pjesë e qeverisë së Kurtit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i qartë pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku sot për herë të parë u dha edhe një propozim tjetër.

Pasi VV-ja propozoi edhe Donika Gërvallen e cila nuk i mori votat, Krasniqi tha se PDK-ja e voton veç një kandidat të pranueshëm nga radhët e partisë së parë që nuk ka qenë pjesë e qeverisë së Kurtit, njofton Klankosova.tv.

“Ne erdhëm sot me shpresën që VV-ja do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë një kandidat që merr vota dhe të ecim tutje në krijimin e institucioneve. Megjithatë ju e patë që ata dolën me dy propozime, ndryshe nga herët e kaluara”.

“Nuk e di me çfarë logjike apo me çfarë dispozite e mbylli Avni Dehari seancën, kanë mundur edhe të tjerët t’i propozojnë sot, por së paku mund të themi që kemi një rikthim te pika ku kemi qenë e nga e cila nuk është dashur të largohemi asnjëherë”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Mbyllet seanca pas dështimit të Haxhiut e Gërvallës – tentimi i ri të premten

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Fillimisht, LVV-ja nominoi Albulena Haxhiun, e cila nuk mori votat e mjaftueshme.

Pastaj, Glauk Konjufca nominoi Donika Gërvallën, e cila njëjtë si Haxhiu, mori vetëm 57 vota.

Kështu, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari njoftoi për përfundimin e seancës së sotme.

E radhës u caktuar për datën 22 gusht, në orën 11:00.

Donika Gërvalla, kandidate e LVV-së për kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit, pasi Albulena Haxhiu nuk kaloi.

Sërish avazi i vjetër, Albulena Haxhiu s’kalon

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish, pas një pushimi rreth 3 javësh, në tentim për të zgjidhur nyjën për zgjedhjen e kryetarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar që i takon e drejta për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit, ka propozuar sërish deputeten Albulena Haxhiu.

Megjithatë, as kësaj radhe, sikurse në pesë herët e kaluara, nuk arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme që të marrë drejtimin e Kuvendit.

GP i LVV-së votoi pro, PDK, LDK dhe AAK kundër, kurse Nisma abstenoi.

Nis seanca

Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka lexuar aktgjykimin e Kushtetueses, i publikuar të hënën.

Kuvendi ende i zbrazët, veç LDK-ja në sallë

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të duhej të fillonte në orën 11:00.

Mirëpo, salla është ende e zbrazët pasi brenda saj janë veç deputetët e LDK-së, njofton Klankosova.tv.

Bajrami (LDK): Momenti i fundit që LVV-ja të propozojë kandidat tjetër

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.

Pak para nisjes së seancës, Bajrami tha se LVV-ja duhet të reflektojë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Ajo përmendi dy mënyra që, sipas saj, çojnë në zgjidhjen e situatës: me konsensus për një kandidat të pranueshëm nga ana e Vetëvendosjes ose me marrëveshje politike. /REL

Rexhepi: Aq sa lejon Gjykata Kushtetuese, do ta votoj Albulena Haxhiun

Deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak Emilja Rexhepi, është deklaruar para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.

“E shohim se si shkon situata sot dhe pastaj vendosim”, deklaroi ajo para mediave njofton Klankosova.tv.

Ajo u shpreh se do ta votojë sërish kandidaten e VV-së Albulena Haxhiu.

“Unë e respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do ta votoj Albulena Haxhiu aq sa lejon Gjykata Kushtetuese”, theksoi ajo.

“Te shohim ndoshta brenda 30 ditëve përfundon kjo punë”.

PDK merr pjesë në votim – Blerta Deliu-Kodra: Do të votojmë kundër Albulena Haxhiut

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka konfirmuar se PDK do të marrë pjesë në votimin e sotëm për zgjedhjen e kryetarit apo kryetares së re të Kuvendit të Kosovës.

Në një deklaratë për media, ajo theksoi se partia që përfaqëson do të jetë pjesë e procesit, por se do të votojnë kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne nuk i kemi votuar përpjekjet e pushtetit për të ndryshuar formën e votimit nga votimi i hapur në votim të mbyllur. Por kemi votuar pesë herë kundër Zonjës Albulena Haxhiu, pra PDK-ja ka refuzuar që të bëhet shkelëse e Kushtetutës”.

“Duke kërkuar që një votim që bie ndesh me Kushtetutën të mos jetë pjesë e seancave të përsëritura, siç i kemi parë. Ne do ta respektojmë aktgjykimin, ashtu siç kemi bërë deri tash, do të marrim pjesë në votim, por do të votojmë kundër Zonjës Haxhiu”.

Në fund, Deliu-Kodra pohoi sërish se PDK-ja nuk do t’i japë votë as Zonjës Haxhiu, as ndonjë ministri të Qeverisë Kurti në detyrë, sepse i konsiderojnë përgjegjës për degradimin pesëvjeçar të Republikës së Kosovës.

Haradinaj: Nuk kemi votë për Haxhiun, do ta mbështesnim një kandidat tjetër nga LVV-ja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar disa çështje të rëndësishme që lidhen me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Është sqaruar se votimi duhet të jetë i hapur, se një kandidat nuk mund të kandidojë më shumë se tri herë nëse nuk merr votat, dhe po ashtu është përcaktuar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit”, ka thënë Haradinaj.

Ai shtoi se AAK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por do të mbështeste një kandidat tjetër nga LVV-ja që, sipas tij, do të ishte më unifikues.

“Nëse sot do të ishte Glauk Konjufca, Saranda Bogujevci apo Shqipe Haxha Hetemi, do ta votonim,” tha ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet as brenda afatit prej 30 ditësh, Haradinaj u shpreh se kjo do të dëshmonte qëllimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Për fat të keq, unë besoj se qëllimi i tij nuk ka ndryshuar, të vazhdojë ta mbajë Kosovën peng dhe ta udhëheqë në mënyrë jo të ligjshme”, u shpreh Haradinaj.

Nura: Shpresoj që VV ka reflektuar dhe i ka parë dëmet që i ka bërë

Deputeti i PDK-së Jakup Nura, ka folur për mediat para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive.

Nura deklaroi se VV-ja ka pasur kohë të reflektojë dhe të shoh dëmet që i ka bërë.

“Shpresoj dhe besoj që do të nxjerrë një figurë që është më unifikuese. Ashtu siç edhe e kemi thënë edhe më herët, Partia Demokratike e Kosovës, në qoftë se është një figurë që s’ka qenë i implikuar në krim dhe korrupsion do ta votojmë”. deklaroi ai para mediave njofton Klankosova.tv.

Kjo seancë vjen pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.