Aleanca për Shqiptarët: Raporti i DASH konfirmon alarmet tona për lirinë e medias në Maqedoninë e Veriut

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e thellë për gjetjet e Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2024, i cili ekspozon kufizimet serioze të lirisë së shprehjes dhe medias në vendin tonë.
Raporti konstaton se, pavarësisht garancive kushtetuese, liria e shprehjes është minuar nga paditë kundër gazetarëve, presioni i tepërt mbi ata që hetojnë korrupsionin, sjellja e papërshtatshme e zyrtarëve publikë, dezinformimi dhe vetëcensura. Veçanërisht shqetësues janë të dhënat për dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve, si dhe rritja e ngacmimeve dhe dhunës ndaj gazetareve femra.
Raporti dëshmon edhe një herë se vendimi i Aleancës për Shqiptarët për të braktisur këtë qeveri ka qenë parimor, i drejtë dhe plotësisht në përputhje me vërejtjet e faktorit ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, Aleanca për Shqiptarët e konsideron si hap prapa ndryshimet e miratuara në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio-Audiovizuale, që mundësojnë financimin e reklamave të qeverisë te transmetuesit komercialë nën justifikimin e “interesit të lartë publik”. Shoqatat e pavarura të medias me të drejtë e kanë cilësuar këtë si rikthim në praktikat e korrupsionit dhe klientelizmit.
Kërkojmë që ndërpriten menjëherë praktikat ligjore dhe politike që cënojnë pavarësinë e medias.
Qeveria të garantojë mbrojtjen efektive të gazetarëve nga dhuna, kërcënimet dhe presionet, dhe të rritet transparenca në financimin publik për median dhe të ndalohet përdorimi i parave të taksapaguesve për propagandë politike.
Liria e medias është themeli i çdo demokracie funksionale. Çdo cënim i saj është sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të mbrojë fuqishëm këtë të drejtë themelore dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që e shkelin.
Aleanca për Shqiptarët