Aliu–Janevska: Fillimi i arsimit fillor formal në kushte spitalore për fëmijët që ndodhen në trajtim afatgjatë, me qëllim të një procesi të pandërprerë edukativo–arsimor.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, sot vizituan Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve me rastin e fillimit të arsimit fillor formal në kushte spitalore për fëmijët që ndodhen në trajtim afatgjatë.
– Në qendër të sistemit shëndetësor është pacienti dhe ne si Ministri e Shëndetësisë kemi për detyrë të krijojmë infrastrukturë që do të jetë e përshtatshme me nevojat për mësim në distancë. Ky projekt i rëndësishëm po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Shoqatën SANO. Ministria e Arsimit do të përgatisë metodologjinë dhe materialet që fëmijët duhet t’i ndjekin, me qëllim që të përfitojnë si shërbimet shëndetësore ashtu edhe ato arsimore, theksoi ministri Aliu.
Ministri paralajmëroi se për këtë qëllim do të krijohet një grup pune për të siguruar kuadër cilësor dhe të përshtatshëm për këtë detyrë.
Ministrja Janevska theksoi se ky proces do të përmirësohet vazhdimisht dhe deri në këtë moment, një numër i caktuar mësimdhënësish tashmë janë në trajnim, në mënyrë që nga 1 shtatori të jenë të gatshëm të fillojnë me punën.
— Qëllimi është që fëmijët të mos kenë pengesa në procesin edukativo–arsimor dhe, pas përfundimit të trajtimit, të ri-socializohen më lehtë, të kthehen në shkollë dhe pranë shokëve të tyre , informoi ministrja Janevska dhe falënderoi të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë projekt.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, Dr. Rexhep Memedi theksoi se arsimi nuk është vetëm një mjet për të mësuar, por edhe një mjet kyç për stabilitet emocional dhe ruajtjen e vetëbesimit te fëmijët. Sipas tij, përfshirja e fëmijëve të shtruar në spital në arsimin formal do të thotë “gjysma e shëndetit”, sepse shëndeti i mirë mendor tek këta pacientë të vegjël nënkupton se ata do ta përballojnë më lehtë dhe me më shumë motivim rrugën e gjatë të trajtimit.