Aliu: Në Klinikën për vesh, hundë dhe fyt është kryer një rindërtim i thelluar i katër sallave kirurgjikale, janë siguruar mikroskop të ri operativ dhe makina anesteziologjike

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, sot vizituan Klinikën Universitare për Vesh, Hundë dhe Fyt me rastin e përfundimit të një rindërtimi të gjerë të katër sallave operative dhe furnizimit me një mikroskop të ri operativ për kryerjen e operacioneve komplekse në veshin e mesëm, sinuse, kordat vokale dhe kirurgji rekonstruktive të kokës dhe qafës.
“Ajo që e kemi përcaktuar si politika për përmirësimin e sistemit shëndetësor tashmë po bëhet realitet në këtë klinikë. Tre shtyllat që i kemi identifikuar si thelbësore , infrastruktura, burimet njerëzore dhe teknologjia ,sot i pamë të zbatuara dhe funksionale në praktikë. Katër salla operacioni janë rinovuar nga themeli, me teknologji më të avancuar që mundëson ndjekjen e të gjitha standardeve në nivelin më të lartë.
Sa i përket politikës kadrovike, tashmë janë punësuar tre specializantë, prej të cilëve dy janë specialistë të ORL-së dhe një specializant për anesteziologji dhe mjekim intensiv, pesë infermiere si dhe tre administratorë, gjë që do të kontribojë për një sistem shëndetësor më transparent dhe më afër qytetarëve, në përputhje me standardet evropiane”, deklaroi ministri Aliu.
Drejtori i Klinikës, Dr. Igor Kamshikovski informoi për rëndësinë e mikroskopit të ri operativ, një teknologji e avancuar që sjell dimensione të reja në kirurgjinë mikroskopike.
Janë siguruar edhe disa endoskopë fleksibil transnazal me fibër optike, të cilët ndihmojnë dhe përmirësojnë dukshëm diagnostikimin ambulantor dhe spitalor. Veçanërisht e rëndësishme është edhe furnizimi me dy makina anesteziologjike të teknologjisë më të fundit , të dizajnuara për fleksibilitet, me mundësi përdorimi si për ndërhyrje të shkurtra ashtu edhe për ato të gjata kirurgjikale, si tek pacientët e rritur ashtu edhe tek ata pediatrikë, duke ofruar një nivel të lartë sigurie për pacientët dhe përdorim të lehtë për ekipin anesteziologjik.