Aliu: Parkimi për pacientët onkologjikë në Klinikë do të jetë falas, më shtrenjtë do të paguajnë qytetarët që nuk janë pacientë

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka paralajmëruar ndryshime të reja që kanë të bëjnë me parkimin në hapësirën e Qendrës Klinike “Nëna Terezë”. Sipas tij, do të hapen hyrje shtesë dhe do të ndryshojë edhe çmimi i parkimit, varësisht nga arsyeja e vizitës në Klinikë.
Parkimi do të jetë falas për pacientët onkologjikë, i lirë për ata që kanë udhëzim për ndonjë nga klinikat, ndërsa më i shtrenjtë për qytetarët që vijnë për arsye të tjera. Do të ketë çmim të veçantë edhe për punonjësit e Qendrës Klinike.
Sa i përket ndërtimit të hapësirës së re të parkimit, Aliu paralajmëroi se javën e ardhshme do të shpallen detajet, dhe sot njoftoi se marrëveshja do të nënshkruhet me Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit”, e cila deri më tani e ka menaxhuar parkimin në Klinikë.
“Gjatë ditës pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe NP ‘Parkingu i Qytetit’. Pa një marrëveshje konkrete nuk desha të dal me informacione. Gjithashtu, do të hapen hyrje shtesë, një prej tyre në Kardiologji, në mënyrë që pacientët që kanë nevojë për intervenim të mund të hyjnë drejtpërdrejt. Numri i daljeve do të mbetet i njëjtë, por numri i vendeve për parkim do të dyfishohet, përmes optimizimit të hapësirës”, theksoi Aliu.
Sipas tij, nuk do të ndërtohet objekt i ri, sepse me optimizimin aktual hapësira do të jetë e mjaftueshme.
Në lidhje me pyetjen pse marrëveshja nënshkruhet sërish me të njëjtën ndërmarrje, ai sqaroi se “Parkingu i Qytetit” është i specializuar për këtë veprimtari, ndërsa institucionet brenda ministrisë nuk kanë përvojë të tillë.
Aliu tha se po përcaktohet mënyra e pagesës, se zona do të jetë nën mbikëqyrje 24-orëshe me kamera, dhe se nëse pas optimizimit hapësirat e parkimit ende nuk janë të mjaftueshme, do të mendohet edhe për ndërtimin e një garazhi me kate.
Në fund, ai shtoi se disa arkitektë tashmë kanë punuar në këtë projekt dhe sipas vlerësimeve të tyre, hapësira pas Klinikës – që aktualisht nuk përdoret – do të transformohet, duke ofruar më shumë vende parkimi pa pasur nevojë për ndërtim shtesë.