Në korrik të vitit të kaluar, qeveria e RMV-së nënshkroi një kredi prej 500 milionë eurosh me Hungarinë, një marrëveshje që u shit si shpëtim për ekonominë vendore. U premtua përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, zhvillim rajonal dhe barazi në shpërndarjen e mjeteve. Sot, një vit më vonë, qytetarët po e shohin të vërtetën e hidhur: asnjë transparencë dhe zero llogaridhënie dhe përfitime vetëm për të afërmit e pushtetit, dhe vetëm për biznesin maqedonas.

Nga 250 milionë euro të dedikuara për investime, deri më tani janë ndarë 125 milionë, por taksapaguesit nuk e dinë ku kanë shkuar këto mjete. Asnjë listë përfituesish, asnjë emër, vetëm numra abstraktë dhe fjalë boshe. E ndërsa qeveria flet për “zhvillim”, kompanitë shqiptare mbeten të përjashtuara. Kompanitë shqiptare nuk kanë përfituar as 10% të këtyre fondeve.

Ky është diskriminim me vulë shtetërore. Një padrejtësi e planifikuar, e heshtur nga institucionet dhe e justifikuar me propagandë qeveritare.

Si Aleancë për Shqiptarët nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë kësaj politike përjashtuese dhe kthimit në praktikat e të të kaluarës.

Ajo që shohim sot është një model i vjetër i diskriminimit, vetëm me fytyra të reja. Një qeveri që përdor kredinë hungareze për të forcuar klientelizmin dhe varësinë politike, ndërsa shqiptarët i konsideron të tepërt.

Prandaj kërkojmë:
– Publikimin urgjent të listës së plotë të përfituesve;
– Sqarimin e qartë të kritereve të ndarjes së fondeve dhe projekteve të financuara;
– Auditim të pavarur dhe publik të të gjithë procesit;

Qeveria nuk mund të vazhdojë të luajë me dinjitetin e qytetarëve dhe të shesë propagandë me paratë e huazuara në emrin tonë. Nëse nuk keni çfarë të fshihni, atëherë publikoni në menyrë transparente listat.

Kjo nuk është vetëm krizë ekonomike, është padrejtësi e institucionalizuar. Një borxh që shqiptarët nuk e morën, por do ta paguajnë. Dhe nëse sot heshtim, nesër do të jemi bashkëfajtorë me heshtjen tonë.