ASh: VLEN dhe Mickoski po shantazhojnë të rinjtë shqiptarë me punësime të përkohshme për përfitime politike

Ditëve të fundit, Aleanca për Shqiptarët ka pranuar dhjetëra ankesa serioze nga të rinj shqiptarë, të cilët po viktimizohen nga shantazhet dhe presionet kriminale të funksionarëve të VLEN-it. Këta individë po i detyrojnë, me forcë dhe pa asnjë lloj vullneti, të ekspozohen në rrjetet sociale nën pretekstin e “punësimeve”.
E vërteta është e hidhur: shumica e këtyre të rinjve janë punësuar me kontrata të përkohshme, që skadojnë në fund të vitit. Këto kontrata janë negociuar drejtpërdrejt me kryeministrin Mickoski, i cili po i trajton si “pronë personale” për shpërdorim të buxhetit publik, në funksion të interesave të tij politike dhe elektorale.
Kjo praktikë është e turpshme, e paligjshme dhe thellësisht anti-demokratike. Presioni politik, shantazhet dhe përdorimi i punësimit si mjet për manipulim dhe nënshtrim të të rinjve përbëjnë veprimtari kriminale.
Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Diskriminimit, organizatave të shoqërisë civile dhe sindikatave të punës të reagojnë menjëherë. Kërkojmë verifikime të plota dhe masa ligjore ndaj çdo zyrtari që ushtron presion dhe shantazh përmes punësimeve të përkohshme.
Liria, dinjiteti dhe e drejta e punësimit janë të paprekshme. Askush nuk ka të drejtë t’i përdhosë ato në emër të politikës apo interesave personale.
Aleanca për Shqiptarët