Në tentimin e fundit të kësaj qeverie monoetnike për të kontrabanduar ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Kuvend, deputetët e Aleancës për Shqiptarët, përkundër vërejtjeve të shumta, treguan gatishmëri që ta përkrahin ligjin, me kusht që qeveria të shfuqizojë vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve në komuna. Ky vendim duhej të ndryshohej pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se metodologjia për ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë është kundërkushtetuese.

Por kjo nuk ndodhi. Qeveria nuk u tërhoq nga qëllimi i saj për të minimizuar rolin e komunave të udhëhequra nga shqiptarët dhe të faktorit politik shqiptar në tërësi.

Situata është e qartë: VLEN-i është pajtuar me pretendimet e Mickoskit për të rrënuar çdo gjë shqiptare. Madje, anëtari i tyre në KShZ, Abdush Demiri, mungoi në seancën vendimtare për fatin e mërgatës dhe të komunave shqiptare. Dhe sot, pa fije turpi, të njëjtit dalin në terren e kërkojnë besimin e qytetarëve për të marrë në qeverisje komunat që, me heshtjen dhe aprovimin e tyre, u masakruan e u relativizuan nga qeveria më antishqiptare që ka njohur pluralizmi politik.

Kjo manovër nuk kalon te shqiptarët. Tetori është afër dhe verdikti i shqiptarëve do të jetë fatal për këtë grupim të izoluar, që për pushtet e për të shpëtuar përfaqësuesit e vet nga skandalet korruptive, shqelmoi çdo arritje shqiptare.

Po të mos ishin shndërruar në vazalë të VLEN-it dhe po të pranoheshin kërkesat e Aleancës për Shqiptarët, sot nuk do të ndodheshim përpara këtij absurdi të vendimit arbitrar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Aleanca për Shqiptarët mbetet në anën e qytetarëve, duke mbrojtur interesin kombëtar dhe barazinë e vërtetë politike.

Aleanca për Shqiptarët