Aleanca për Shqiptarët vlerëson se eksperienca e qytetarëve me VLEN-in në qeveri është e hidhur dhe dëshmon se ky koalicion ka humbur çdo legjitimitet për të kërkuar besimin e qytetarëve në zgjedhjet lokale të tetorit.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, VLEN premtoi:

Krijimin e ekipeve të përhershme ekspertësh për të sjellë investime ndërkombëtare në komunat shqiptare.

Bashkëpunim ndërkomunal dhe krijimin e buxheteve të përbashkëta për projekte madhore infrastrukturore, mjedisore, shëndetësore dhe arsimore.

Aplikim në fondet e BE-së për zhvillim ekonomik, teknologjik dhe infrastrukturor.

Reformë administrative-territoriale, me zvogëlim të numrit të komunave, rritje të kompetencave dhe efikasitetit.

Rritje substanciale të investimeve kapitale në rajonet më pak të zhvilluara, sidomos në komunat shqiptare.

Shndërrimin e rajoneve planore në qendra të avancuara administrative me institucione të decentralizuara.

Zbatimin e ligjit për 1% të PBV-së për zhvillim rajonal të barabartë.

Dyfishimin e të ardhurave të komunave nga buxheti i përgjithshëm publik dhe autonomi fiskale.

Rritjen e kompetencave komunale në menaxhimin e pasurive natyrore (uji, pyjet, minierat).

Realiteti pas hyrjes në qeveri:

Asnjë ekip ekspertësh nuk u krijua.

Nuk u soll asnjë investim i huaj në komunat shqiptare.

Nuk pati buxhete të përbashkëta për projekte madhore.

Asnjë reformë administrative nuk u realizua, përkundrazi po përgatitet një ligj i ri i ashtuquajtur “për decentralizim” që në fakt është centralizim edhe më i madh.

Nuk u rritën investimet kapitale në komunat shqiptare – përkundrazi, u thellua diskriminimi dhe përjashtimi i tyre.

Ligji për 1% të PBV-së nuk u zbatua.

Nuk u dyfishuan të ardhurat e komunave.

Nuk u dha asnjë kompetencë shtesë në menaxhimin e pasurive natyrore.

Me VLEN në qeveri:

Komunat me shumicë shqiptare u gjymtuan dhe mbetën pa mbështetje.

U fshi diaspora shqiptare nga regjistri zgjedhor.

Ra numri i këshilltarëve komunalë në komunat shqiptare.

Në Tetovë, Çair dhe Zhelinë qeverisja lokale solli vetëm rritje të korrupsionit, mafies urbane dhe uzurpimit të pronave publike.

Aleanca për Shqiptarët rikujton qytetarët se VLEN u prezantua si zëri i decentralizimit dhe zhvillimit rajonal. Sot është e qartë: asnjë premtim elektoral i vitit 2024 nuk u realizua. Shqiptarët u mashtruan dhe u përjashtuan edhe më shumë.

Prandaj, VLEN nuk ka as të drejtë morale dhe as legjitimitet politik të dalë para qytetarëve dhe të kërkojë sërish votën e tyre. Ky koalicion u testua në qeveri dhe dështoi.

Aleanca për Shqiptarët mbetet e vendosur të jetë zëri i barazisë së vërtetë, i zhvillimit ekonomik dhe i mbrojtjes së interesit kombëtar shqiptar, duke punuar për një të ardhme ndryshe dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë.

Aleanca për Shqiptarët

ASH VLEN premtoi decentralizim, por solli vetëm dështim – Nuk ka legjitimitet të kërkojë