Kandidati për kryetar komune nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi ka ndarë përshtypjet e tij pas një vizite në Çarshinë e Epërme, një nga lagjet më të vjetra dhe më identitare të qytetit të Tetovës.

“Sonte u zhvillua një vizitë në Çarshinë e Epërme, një nga lagjet më të vjetra dhe më emblematike të Tetovës, vendi ku kanë jetuar dhe vepruar shumë figura të shquara dhe veprimtarë të qytetit,” shkruan Rexhepi.

Gjatë takimit me banorët, janë ngritur çështje të përditshme që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës në këtë zonë: probleme të theksuara me infrastrukturën, kanalizimin e amortizuar, mungesën e vendparkimeve dhe mungesën e vëmendjes institucionale.

“Kërkesat e qytetarëve ishin të arsyeshme dhe modeste, duke reflektuar një përkushtim të sinqertë për përmirësimin e kushteve të jetesës,” thekson më tej Rexhepi.

Ai vë në dukje se Çarshia e Epërme, përveç vlerave historike dhe kulturore që mbart, duhet të trajtohet me një vizion zhvillimor konkret e afatgjatë.

“Përmes programit #PërTetovënERe, synohet rikthimi i shkëlqimit autentik të kësaj lagjeje, duke ofruar zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për zhvillimin e saj dhe të gjithë qytetit,” përfundon postimi i tij.