Nënkryetarja dhe deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, nuk mund ta bllokojë më Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit emri i kandidatit për Kryeparlamentar nuk mund të hedhet më shumë se tri herë në votim, shkruan Reporteri.net.

Bajrami ka thënë se shteti është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër dhe se Kushtetua e Ligji janë mbi lojërat politike.

“Votimi duhet të jetë i hapur – Kushtetuesja mbështetë transparencën, sepse ne jemi përfaqësuese të qytetarëve dhe ata kanë të drejtë të shohin se kush për kë voton.

Kushtetuta e Ligji janë mbi lojërat politike, s’ka demokraci aty ku s’ka repspektim të Kushtetutës dhe të Ligjit”, ka shkruar Bajrami.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas kërkesës së LDK’së dhe PDK’së.

Në njoftim thuhet se votimi mund të realizohet vetëm deri tri herë për kandidatin e njëjtë.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në njoftim.

Deputetët urdhërohen që të marrin pjesë në seancë dhe në votim.

“TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë”./Reporteri.net