Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj përbërjes së re të Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga strukturat drejtuese dhe vendimmarrëse.
Nga gjithsej 117 anëtarë, vetëm 4 janë shqiptarë, një pasqyrë tronditëse e qasjes diskriminuese që është e papranueshme për një shtet multietnik dhe europian. Edhe më alarmante është mungesa e plotë e shqiptarëve në organet kyçe:
• Bordi Drejtues: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Këshilli Olimpik: 0 shqiptarë nga 11 anëtarë.
• Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (SAS): 0 shqiptarë.
• Komisioni i Etikës: 0 shqiptarë.
• Komisioni i Sportistëve: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Komisioni i Marketingut: vetëm 1 shqiptar nga 6 anëtarë.
• Drejtoria Sportive: vetëm 1 shqiptar nga 5 anëtarë.
• Kuvendi i KOK: vetëm 1 shqiptar nga 25 anëtarë me të drejtë vote.
Në shumicën e komisioneve të tjera: juridike, disiplinë, përfaqësi gjinore, lojëra paraolimpike, shkencë dhe sport, antidoping, financa, e-sport, bord mbikëqyrës dhe komitet për diasporën, përfaqësimi shqiptar është zero.
Kjo nuk është vetëm neglizhencë, por pasqyrë e një mentaliteti përjashtues që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, me parimet e barazisë dhe me standardet e shteteve demokratike. Sporti duhet të bashkojë, jo të ndajë; të ndërtojë ura, jo barriera etnike.
BDI kërkon rishikim të menjëhershëm të kësaj përbërjeje dhe garantimin e përfaqësimit proporcional të shqiptarëve në çdo nivel të Komitetit Olimpik. Çdo vonesë apo shmangie është goditje ndaj të drejtave të barabarta dhe hap i rrezikshëm prapa për stabilitetin ndëretnik në vend.
BDI mbetet e vendosur të mbrojë barazinë dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit, në çdo institucion dhe në çdo fushë të jetës, përfshirë sportin.