Pas skandaleve të rënda dhe dështimeve të turpshme që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë shkatërruar besimin në institucionet kulturore shqiptare, Sekretariati për Kulturë kërkon dorëheqjen e menjëhershme, pa asnjë kusht dhe të parevokueshme të këtyre drejtuesve të paaftë dhe të komprometuar:
• Drejtorit të Teatrit të Gostivarit
• Drejtorit të Teatrit të Tetovës
• Drejtorit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe

Shkaqet janë të pamohueshme dhe përbëjnë turp kombëtar:

1. Drejtori i Teatrit të Gostivarit, është kapur publikisht duke punësuar djalin e tij me kontratë për përkthime në instituionin që ai udhëheq. Ky veprim është abuzim flagrant me funksionin publik dhe shkelje e hapur e ligjit. Një drejtues i tillë nuk meriton as edhe një ditë të qëndrojë në krye të institucionit.

2. Drejtori i Teatrit të Tetovës, duke qenë pjesë e Vlenit, në asnjë mënyrë nuk ka kontribuar në ndërtimin e objektit të teatrit dhe bibliotekës re, përkundrazi është ulur buxheti për ndërtimin e objektit për 500%, nga
300 milion denar në 13 milion, duke dëshmuar një urretje patologjike ndaj kulturës shqiptare dhe paaftësi totale për të menaxhuar një institucion me përmasa të këtij lloji. Dështim total në realizimin e programit artisitk, asnjë punësim dhe asnjë veprimtari skenike që do sillte rezultate dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare të Teatrit të Tetovës. Ndërsa postin e tij e ka shëndëruar në bufon politik. Me veprimet dhe mosveprimet e tij, e ka dënuar qytetin e Tetovës me një boshllëk kulturor të papranueshëm. Kjo është tradhti ndaj publikut dhe ndaj artistëve që presin kushte elementare për punë.

3. Drejtori i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Shqipe, ka shkatërruar funksionalitetin e këtij institucioni kombëtar, duke mos arritur të kompletojë ekipën e ansamblit dhe trupën e valltarëve, si dhe nuk ka realizuar programin vjetor të miratuar. Keqpërdorim dhe politizim të skajshëm të institucionit, presione dhe mobing ndaj të punësuarve. Ky mosfunksionim institucional është fyerje e drejtpërdrejtë ndaj trashëgimisë sonë artistike dhe ndaj identitetit kulturor shqiptar.

Qëndrimi ynë i prerë:
Këta drejtues kanë kapitulluar përballë përgjegjësive, kanë treguar paaftësi të thellë dhe kanë tradhtuar misionin e institucioneve që udhëheqin. Ata përfaqësojnë një model degradimi, nepotizmi dhe dështimi që nuk ka vend në kulturën shqiptare.
Kërkojmë dorëheqjen e tyre të menjëhershme. Çdo ditë që ata mbeten në poste është një ditë turpi, një ditë më shumë shkatërrim për artin dhe kulturën shqiptare.