BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini!

Bashkimi Demokratik për Integrim, pas reagimit të djeshëm për ngjarjen skandaloze me kore anti-shqiptare në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, thekson se heshtja dhe mungesa e reagimit institucional nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi konkrete politike.
Në këtë drejtim, kërkojmë:
• Dorëheqje të menjëhershme nga Astrit Iseni, zëvendësministër i punëve të brendshme, si dhe
• Dorëheqje nga Safije Sadiki Shaini, zëvendësministre për Sport,
për shkak të dështimit të tyre për të reaguar, për të mbrojtur interesin publik dhe për të adresuar një incident të rëndë që cenon drejtpërdrejt bashkëjetesën ndëretnike dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.
Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë me parashikimin e sanksioneve të rënda për përgjegjësit dhe të tërhiqen menjëherë nga kjo Qeveri që ushqen ndarje e urrejtje, sepse na turpëruan.
Kërkimi i faljes nuk është zgjidhje. Kërkimfalja ska vlerë kur e njëjta qasje përsëritet në çdo rast të ngjashëm. Mosreagimi është bashkëfajësi. Shqiptarët nuk e meritojnë heshtje. Kanë votuar për përfaqësim të denjë dhe për mbrojtje të dinjitetit të tyre në çdo sallë, institucion apo nivel qeveritar.
BDI do të jetë në krye të reagimit politik, institucional dhe qytetar deri në ndëshkimin e plotë të kësaj ngjarjeje turpëruese.