Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe e dënon ashpër skandalin e fundit në procesin e punësimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku i vetmi shqiptar i pranuar nga 74 kandidatë është Jasir Ibrahimi, nip i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

Kjo përzgjedhje selektive ka ndodhur pavarësisht faktit se dhjetëra të rinj shqiptarë të diplomuar kishin aplikuar në konkursin e shpallur në maj, por të gjithë, përveç një familjari të një funksionari të lartë partiak në pushtet, janë eliminuar gjatë testit psikologjik apo fizik. Vetëm nepotizmi kalon “testin”, jo aftësia, jo përgatitja.

Kjo është një goditje e rëndë ndaj besimit të të rinjve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore dhe në të ardhmen e tyre në këtë vend.

Procesi i selektimit në Akademinë Ushtarake “Gjeneral Mihajlo Apostolski” në Shkup, ku nga 74 të pranuarit 71 janë maqedonas, 2 romë dhe vetëm 1 shqiptar, përbën një shkelje flagrante të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, të garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Ky nuk është vetëm dështim institucional, por implementim sistematik i përjashtimit etnik nga institucionet e sigurisë.

Në kulmin e ironisë, në shpalljen zyrtare thuhej se “do t’i kushtohet vëmendje përfaqësimit të barabartë të komuniteteve”. Por ajo që ndodhi është e kundërta: përfaqësimi është inekzistent, barazia është zero, ndërsa konkurrenca është e manipuluar.

BDI i bën thirrje opinionit publik dhe të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të mos e trajtojnë këtë si një rast të izoluar, por si pjesë të një plani të organizuar për të shtyrë shqiptarët jashtë institucioneve shtetërore, në këtë rast nga Armata dhe Ministria e Mbrojtjes.

BDI nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe nuk do të lejojë që të rinjtë shqiptarë të përjashtohen, ndërsa familjarët e pushtetarëve të rreshtohen në institucione me favore politike.

Shqiptarët kanë të drejtë të barabartë për të shërbyer në ushtri dhe për të kontribuar në shtet. Ne nuk do të ndalemi derisa kjo padrejtësi të marrë fund.