Gazetari Abedin Bilalli ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili në Kuvend përdori fjalor me ngarkesë fetare dhe përçarëse, duke i referuar votës në qytetet shqiptare si “betejë që të mos fitojnë kaurët”.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Bilalli ka thënë se një kryeministër që përdor terma si “letër tualeti” dhe “kaurë” nuk përfaqëson aspak një shtet multietnik dhe është simbol i ndarjes së thellë brenda vendit.
“Një ‘kryeministër’ që përdor gjuhë të rrugës – ‘letër tualeti’ e ‘kaurë’ – s’mund të përfaqësojë një shtet multietnik,” deklaroi Bilalli.
Ai shtoi se Mickoski përfaqëson një model të dështuar të lidershipit politik që mbjell urrejtje dhe frikë nga barazia.
“Ky është lideri i një Maqedonie të ndarë, që s’guxon as të kandidojë në komunat shqiptare,” theksoi ai.
Në fund, gazetari Bilalli lëshoi një mesazh të fuqishëm, që nënkupton rrezikun e polarizimit dhe mungesës së bashkëjetesës nëse gjuha politike vazhdon të degradojë në këtë nivel:
“Me këtë gjuhë, vetëm një ndarje me kufij na mbetet: ti atje ku flitet urrejtje, ne këtu ku ndërtohet dinjitet.”
Deklaratat e kryeministrit Mickoski kanë ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, me kritika të ashpra nga partitë shqiptare dhe nga shoqëria civile, që paralajmërojnë se ky diskurs është i rrezikshëm për të ardhmen e përbashkët të vendit.