“Një hije e rëndë po shtrihet mbi Ballkan. Nuk është e re, por sot po shfaqet më e qartë se kurrë: projekti i ‘Botës Serbe’. Ajo që dikur tingëllonte si slogan i një ministri serb, sot është shndërruar në strategji të mirëfilltë politike, që rrezikon të gërryejë themelet e shteteve të pavarura të rajonit, shkruan Racin.mk
Në emër të gjuhës, fesë dhe historisë, Beogradi kërkon të krijojë një hapësirë politike që kalon kufijtë shtetërorë dhe minon sovranitetin e vendeve fqinje. Nëse ‘Bota Ruse’ u përdor për të justifikuar agresionin në Ukrainë, ‘Bota Serbe’ sot po përpiqet të prodhojë një realitet të ri në Maqedoninë e Veriut e më gjerë.
Kërcënimi nuk është teorik. Në Shkup, VMRO ka dorë absolute mbi qeverisjen, duke hapur dyert për narrativat e Botës Serbe. Dhe nuk ndalet vetëm aty: elementë brenda VLEN dhe ZNAM janë kthyer në satelitë politikë të këtij projekti, duke i dhënë Beogradit ndikim të drejtpërdrejtë në politikën e brendshme të vendit. Ky është një alarm i qartë për çdo qytetar që beson tek demokracia, liria dhe integrimi europian.
Pasojat janë të rënda: destabilizim i brendshëm, përçarje ndëretnike, dobësim i institucioneve dhe zhvendosje gjeopolitike drejt boshtit lindor ruso-serb. Çdo hap i tillë është një grusht ndaj sigurisë së rajonit, ndaj paqes në Ballkan, ndaj vetë të ardhmes europiane të vendeve tona.
‘Bota Serbe’ nuk është nostalgji kulturore. Është një projekt politik i rrezikshëm, i hartuar për të shndërruar shtetet e rajonit në satelitë të Beogradit dhe Moskës. Të heshtësh sot, do të thotë të pranosh nesër një realitet ku kufijtë nuk respektohen, ku identitetet përdoren si armë, dhe ku sovraniteti i vendeve tona kthehet në iluzion.
Sot është koha për të thënë qartë: Maqedonia e Veriut duhet të zgjedhë mes rrugës europiane dhe kurthit të Botës Serbe. Çdo kompromis me këtë projekt është kompromis me lirinë, me demokracinë, me të ardhmen e gjithë rajonit.
Ballkani ka vuajtur mjaft nga fantazmat e së kaluarës. Nuk mund të lejojmë që një tjetër ‘botë’ e rreme të diktojë fatin e popujve tanë.”