Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, sot publikoi një video të incizuar në orët e hershme të mëngjesit, ku e paraqet qasjen e tij ndaj menaxhimit të përditshëm të komunës, në terren, drejtpërdrejt dhe pa ndërmjetës.

“Është ora gjashtë pa dhjetë. Çairi zgjohet herët, ashtu zgjohem edhe unë”, thotë Osmani, duke ecur nëpër një nga rrugët e komunës. Ai paralajmëroi se çdo mëngjes, nga ora 5:30 deri në 7:30, personalisht do t’i vizitojë të gjitha lagjet e Çairit për të evidentuar nevojat dhe problemet e qytetarëve.

“Çdo ditë do të kaloj në çdo rrugë të Çairit dhe do ta shënojmë çdo nevojë e çdo defekt. Unë nuk dua raporte nga zyra. Dua ta shoh atë që e shihni ju”, theksoi Osmani.

Sipas shpjegimit të tij, menjëherë pas vizitës së mëngjesit, në orën 7:30 do t’i mbledhë shërbimet komunale për t’ua dorëzuar listën e detyrave që duhet të zgjidhen po atë ditë. Qëllimi, siç thotë ai, është i qartë: reagim i shpejtë dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë.

“Çairi meriton kryetar që nuk fle ndërkohë që komuna vuan”, deklaroi Osmani në video. Ai nënvizoi se kjo nuk është një premtim parazgjedhor, por “një disiplinë e përditshme”, me të cilën do të sigurohet që komuna të funksionojë sipas masës së qytetarëve.

“Unë çdo ditë do ta filloj kështu, që dita juaj të fillojë më mirë”, porositi Osmani.

Me këtë mesazh, ai dërgon sinjal se modeli i tij i qeverisjes do të bazohet në komunikim të drejtpërdrejtë me terrenin dhe prani personale, ndryshe nga qasja burokratike, e cila sipas tij, është një nga rrënjët e mosfunksionalitetit në komuna.