Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, reagoi ashpër ndaj përpjekjeve të një pjese të mediave dhe kundërshtarëve politikë për ta lidhur me, siç tha ai, gjoja parregullsi në lidhje me marrëveshjet për organizimin e Samitit të OSBE-së. Osmani theksoi se bëhet fjalë për një temë të vjetër dhe tashmë të sqaruar, e cila po keqpërdoret politikisht pas shpalljes së kandidaturës së tij.
“Së pari është qesharake të thuhet se keni siguruar një dokument ekskluziv, i cili është publikuar tashmë një vit më parë në faqen e internetit për prokurime publike. Një vit është i publikuar publikisht, por ‘ekskluzivisht’ është siguruar dje nga shtabet partiake”, deklaroi Osmani, duke aluduar përpjekjen për të krijuar sensacion me informacione që prej kohësh janë në dispozicion publik. Ai theksoi se marrëveshja është tashmë dërguar në institucionet kompetente dhe prej tyre janë marrë përgjigje zyrtare se nuk ka asnjë vërejtje.
“Ajo marrëveshje është dërguar në Komisionin Antikorrupsion nga unë personalisht. Është kthyer me dokument të shkruar se nuk është gjetur asnjë vërejtje. Pyeteni ish-drejtoreshën, do t’ju konfirmojë. Dy institucionet më kompetente, edhe Prokuroria Publike, edhe Antikorrupsioni, kanë raporte me shkrim se nuk janë konstatuar as parregullsitë më të vogla”, theksoi Osmani. Osmani iu referua edhe, siç tha ai, manipulimeve nga VLEN, si dhe nga një pjesë e mediave, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe respektim të standardeve etike.
“Nuk mund të veproni nën moton ‘gënjeni çdo ditë, diçka do t’i ngjitet popullit’ apo ‘shani kundërshtarin, diçka do të ngjitet’. Kjo nuk i ngjan një fushate në të cilën duhet të garojmë me politika”, tha Osmani. Ai kujtoi se ngjarja për të cilën bëhet fjalë – Samiti i OSBE-së , ishte një moment krenarie për të gjithë shtetin.
“Më kujtohet një gazetar sportiv, Atanas Kostovski, i cili shkroi një kolumnë: ‘Unë jam një maqedonas që më bëri krenar një shqiptar nga Maqedonia e Veriut’. Sepse, i gjithë shteti ishte krenar ato ditë. Maqedonia e Veriut u bë qendra e botës”, përfundoi Osmani.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com