Buldozerë izraelite kanë shkulur qindra, ndoshta edhe mijëra pemë në fshatin Al-Mughayir, pranë qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor, raportojnë gazetarët e agjencisë AFP që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Në zonë ishin të pranishëm edhe ushtarë izraelitë.
Abdellatif Mohammed Abu Aliya, një fermer vendas, tha se ka humbur pemë ulliri mbi 70-vjeçare, të mbjella në një sipërfaqe prej 10 hektarësh. “I shkulën dhe i rrafshuan, me pretekste të rreme,” tha ai, pa specifikuar saktësisht se për kë e kishte fjalën.
Ai shtoi se ka nisur të rimbjellë fushën e tij, ashtu si edhe fermerë të tjerë të zonës. Një fotograf i AFP-së raportoi se shumë toka janë gërmuar dhe pemët e ullirit qëndrojnë të shkulura në tokë.
Sipas dëshmitarëve, disa bagerë po lëviznin nëpër kodrat përreth Al-Mughayir, njëri prej të cilëve mbante flamurin izraelit, ndërsa mjete ushtarake ishin të pozicionuara pak më larg. “Qëllimi është të marrin kontrollin dhe të na detyrojnë të emigrojmë,” deklaroi Ghassan Abu Aliya, drejtues i një kooperative bujqësore lokale. “Ky është vetëm fillimi dhe do të përhapet në gjithë Bregun Perëndimor,” shtoi ai. Banorët raportojnë se operacioni ka nisur që të enjten, ndërsa një OJQ palestineze konfirmon se janë kryer 14 arrestime në fshat brenda tre ditësh.
Ushtria izraelite, e pyetur nga AFP, tha se po heton rastin.
Të premten, ushtria izraelite njoftoi arrestimin e një banori të Al-Mughayir me akuzën për një “sulm terrorist”. Ndërkohë, më 16 gusht, Autoriteti Palestinez raportoi se një 18-vjeçar ishte vrarë nga ushtarët izraelitë në të njëjtin fshat. Ushtria në atë kohë tha se po reagonte ndaj “terroristëve që po hidhnin gurë”, pa e lidhur drejtpërdrejt viktimën me sulmin.
Përplasjet në Bregun Perëndimor janë intensifikuar që prej fillimit të luftës në Rripin e Gazës, pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj territorit izraelit më 7 tetor 2023.
Sipas një numërimi të AFP-së bazuar në të dhënat e Autoritetit Palestinez, të paktën 971 palestinezë janë vrarë nga ushtarët apo kolonët izraelitë që nga ajo kohë. Mes viktimave ka luftëtarë, por edhe një numër i madh civilësh.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave zyrtare izraelite, të paktën 36 izraelitë – civilë dhe ushtarakë – janë vrarë nga sulmet palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake.