Dele Alli po shqyrton mundësinë e pensionimit nga futbolli, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cesc Fabregas te Como, sipas raportimeve nga Italia.

Ish-mesfushori i Tottenham dhe Anglisë ka pasur vështirësi me formën dhe dëmtimet gjatë viteve të fundit, duke kaluar kohë te Everton dhe Besiktas pas largimit nga Spurs në vitin 2022.

Në janar, ai u transferua te Como në Serie A me një kontratë 18-mujore, duke marrë një mundësi të re për të ringjallur karrierën nën drejtimin e legjendës së Chelsea dhe Arsenal, Fabregas.

Megjithatë, fillimi në Itali ishte i vështirë. Në debutimin e tij ndaj Milanit në ‘San Siro’ në mars, paraqitja e tij e parë zyrtare pas më shumë se dy vitesh, Alli u ndëshkua me karton të kuq pas vetëm nëntë minutash për një ndërhyrje të gabuar ndaj Ruben Loftus-Cheek.

Ai nuk luajti më për Como gjatë sezonit, edhe pse u rikthye në stërvitje pas një tjetër dëmtimi. Tani, situata e tij është përkeqësuar, pasi 29-vjeçari nuk është marrë fare në kampin stërvitor parasezonal të skuadrës në Marbella.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Alli është lënë të stërvitet me lojtarët jashtë planeve të klubit dhe po e shqyrton seriozisht largimin nga futbolli, ndonëse i ka mbetur edhe një vit kontratë me klubin.

Dikur i konsideruar si një nga talentët më premtues në Evropë, karriera e Alli mori tatëpjetën pas dëmtimeve të shpeshta dhe problemeve jashtë fushës që e mbajtën për një kohë të gjatë larg lojës.

Ai ka shënuar 67 gola në 269 paraqitje për Tottenham, ka zhvilluar 37 ndeshje me Anglinë dhe ka qenë pjesë e ekipit në Kupën e Botës 2018.

Që nga largimi nga Spurs, Alli ka folur publikisht për betejën e tij me varësinë, kohën e kaluar në rehabilitim dhe përvojat traumatike të fëmijërisë së tij.