Një delegacion i Aleancës për Shqiptarët, i kryesuar nga kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, po zhvillon një vizitë zyrtare në komunat dhe bashkitë juglindore të Republikës së Shqipërisë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar.

Pas ndalesës së parë në Bashkinë e Pogradecit, ku u pritën nga kryetari Ilir Xhakolli, delegacioni ndodhet sot në qytetin e Korçës, një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës, arsimit dhe historisë shqiptare – qyteti i shkollës së parë shqipe, i muzeve dhe i traditës së rikthyer europiane.

Delegacioni u prit nga kryetari i Bashkisë së Korçës, z. Sotiraq Filo, me të cilin u zhvillua një takim i frytshëm mbi mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Së bashku, vizituan edhe Muzeun e Shkollës së Parë Shqipe, një simbol i rëndësishëm i arsimit dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Në fokus të diskutimeve ishin:
• shkëmbimi i përvojave ndërmjet komunave dhe bashkive,
• projekte të përbashkëta në fushën e arsimit dhe kulturës,
• shkëmbimi i nxënësve dhe aktiviteteve rinore,
• bashkëpunimi në zhvillimin e turizmit ndërkufitar,
• dhe sidomos zbatimi i modelit të turizmit katërstinor, që Korça e ka zhvilluar me sukses dhe që mund të shërbejë si shembull i mirë edhe për komunat tona në Maqedoninë e Veriut.

Dr. Arben Taravari u shpreh:
“Korça është shembull i vizionit, identitetit dhe funksionimit europian të një qyteti që nuk ka humbur rrënjët e veta. Jemi të bindur se përmes lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet komunave dhe bashkive tona, do të forcojmë rrjetin e bashkëpunimit shqiptar në rajon, në shërbim të qytetarëve tanë dhe të zhvillimit të përbashkët.”

Po ashtu, delegacioni, i kryesuar nga kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, zhvilloi një takim të veçantë edhe me z. Niko Peleshi, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë takimit u shkëmbyen mendime rreth bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve, perspektivave të integrimit rajonal dhe rëndësisë së ndërlidhjes ndërmjet faktorit politik shqiptar në të dy anët e kufirit. Palët theksuan rëndësinë e mbajtjes së kontakteve të rregullta për të forcuar frymën e bashkëpunimit dhe koordinimit në çështje me interes të përbashkët.

Delegacioni përbëhet nga:
• Dr. Arben Taravari – Kryetar i Aleancës për Shqiptarët,
• Valbon Limani – Kryetar i Komunës së Gostivarit,
• Isen Shabani – Kryetar i Komunës së Vrapçishtit,
• Blerant Ramadani – Kandidat për Kryetar të Komunës së Sarajit,
• dhe Nazim Taipi – Kandidat për Kryetar të Komunës së Tearcës.

Vizita zyrtare do të vazhdojë në Ersekë dhe Pustec, si pjesë e turneut institucional në komunat e rajonit juglindor të Shqipërisë.

Aleanca për Shqiptarët mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve lokale shqiptare kudo në rajon, duke promovuar zhvillim të përbashkët, solidaritet dhe vizion mbarëkombëtar.

Aleanca për Shqiptarët