Më 5 gusht 2025, në SPB Tetovë, një 65-vjeçar me banim në Shkup nga një fshat i Tetovës ka denoncuar se B.H., nga i njëjti fshat, përmes falsifikimit të dokumenteve është bërë pronar i një prone të patundshme që i përkiste babait të tij dhe për të cilën ai posedon fletë pronësore.

Sipas denoncimit, në Agjencinë për Kadastër dhe Pasuri të Patundshme Tetovë u informua se parcela, me vendim gjyqësor të datës 5 nëntor 2024 nga Gjykata Themelore Tetovë, ishte regjistruar në emër të B.H., dhe më pas ishte transferuar me kontratë në emër të M.M. nga një fshat tjetër i Tetovës.

Denoncuesi thotë se transferimi është bërë pa dijeninë dhe pëlqimin e tij dhe të vëllait, trashëgimtarë të ligjshëm të babait të tyre, dhe se nuk janë ftuar në asnjë seancë gjyqësore lidhur me këtë vendim. Ai dyshon se për këtë janë përdorur dokumente të falsifikuara.

Autoritetet po ndërmarrin masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit.TS