Deputetët prej nesër do të fillojnë zyrtarisht punën pas pushimit vjetor. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka caktuar një takim joformal me gazetarët, në të cilin do të informojë për aktivitetet aktuale në dhomën ligjdhënëse, pas koordinimit të rregullt me koordinatorët e grupeve parlamentare. Deri të premten, në ueb-faqen e Kuvendit, përveç brifingut me gazetarët, nuk ishin planifikuar aktivitete të tjera për javën e ardhshme.

Pushimi i deputetëve u ndërpre më 16 gusht, kur u thirr një seancë e jashtëzakonshme për Propozim-ligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor, pas një procedure të shkurtuar që nuk kaloi për shkak të mungesës së shumicës së Badinterit. Më parë, më 13 gusht, seancë mbajti edhe Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, i cili formoi një komision për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Zakonisht, pushimi i deputetëve fillon pas Festës Kombëtare Ilinden.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më 9 gusht shpalli datën e zgjedhjeve lokale për 19 tetor. Kuvendi pritet të mbajë seanca plenare dhe të komisioneve deri në fillim të fushatës për zgjedhjet lokale më 29 shtator.

Në brifingun e fundit me gazetarë, kryetari i Kuvendit kujtoi se dhoma ligjdhënëse është në mbledhje të përhershme dhe se, nëse është e nevojshme, deputetët do të thirren në seanca.