“Sa herë që kam folur për punësime të drejta, për barazi dhe meritokraci, ka pasur nga ata që më kanë etiketuar se “bëj ndarje”. U kritikova madje edhe kur shkrova se drejtori Armend Arslani u zëvendësua me Vladimir Bunçeskin në Spitalin e Strugës – vetëm pse kërkova që të merret për bazë aftësia dhe përfaqësimi i qytetarëve tanë.
Asnjëherë nuk kam pasur qëllim ndarjeje – përkundrazi, çdo fjalë e imja ka qenë për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë.
Por ajo që ndodhi në Kumanovë është fytyra e vërtetë e hipokrizisë sonë shoqërore: në një ngjarje sportive, kur u dëgjuan fyerje të rënda ndaj shqiptarëve, ata që ishin aty – zyrtarë, përfaqësues të institucioneve – zgjodhën të qëndrojnë indiferentë dhe të reagojnë sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Asnjë protestë, asnjë reagim, asnjë shenjë dinjiteti!
Sikur të kishin pasur kurajë të ngriheshin dhe të largoheshin nga salla, sot do të kishim treguar se dinjiteti vlen më shumë se vendi në tribunë. Por ata heshtën – dhe heshtja e tyre ishte miratim!
E çuditshme si disa struganë, që dikur më kritikonin mua kur kërkoja barazi dhe meritokraci, sot nuk thonë asnjë fjalë.
Sa për “kukullat e qeverisë”, duhet të jesh në vendin e tyre që ta ndjesh nënshtrimin dhe mungesën e dinjitetit. Dhe mos u mundoni ta justifikoni këtë rast duke thënë se “ka ndodhur edhe diku tjetër” – sepse kështu vetëm e normalizoni poshtërimin.
Turpi nuk fshihet me krahasime.
Turpi mban emër dhe fytyrë.
Sot më shumë se kurrë, na duhen qytetarë që reagojnë, jo që heshtin” ka shkruar Jeton Shaqiri.