Nënkryetarja e VMRO-DPMNE-së dhe njëherazi Ministre e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, ka deklaruar se ende po shqyrtohet çështja e skadimit të normës preferenciale për blerjen e banesave të reja. Ajo theksoi se synimi është të mos vendoset barrë shtesë mbi qytetarët, veçanërisht të rinjtë që kërkojnë të sigurojnë një shtëpi.
“Ne ende jemi në fazë analize dhe së shpejti do të dalim me një vendim përfundimtar. Besoj se në këtë moment nuk ka nevojë për një barrë shtesë mbi qytetarët. Buxheti është stabil, të ardhurat po mblidhen sipas planit dhe menaxhimi i shpenzimeve po bëhet me kujdes. Në veçanti, nuk duam të rëndojmë të rinjtë që blejnë banesa, qoftë të vetëm apo kur krijojnë familje,” deklaroi Dimitrieska Koçoska.
Ministrja gjithashtu paralajmëroi se Qeveria është në përgatitje të disa masave për të përballuar inflacionin e lartë, duke theksuar nevojën për zgjidhje më afatgjata.
“Po punojmë në disa masa që do të prezantohen së shpejti. Fillimisht do të jenë masa afatshkurtra, por synimi ynë është të arrijmë në një zgjidhje afatgjatë përballë sfidave të inflacionit,” shtoi ajo.