Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se nga 1 shtatori do të ketë tekste shkollore.
„Të gjithë mund të jenë të qetë dhe kjo nuk është hera e parë që do të ketë tekste shkollore. Edhe vitin e kaluar, me përpjekje të mëdha arritëm të sigurojmë tekste për nxënësit. Një pjesë e teksteve tashmë po shpërndahen nëpër shkolla. Sigurisht, mësimdhënësit janë në pushim kolektiv deri më 15 gusht dhe pas kësaj do të vazhdojë më intensivisht shpërndarja e teksteve. Aktualisht, ende kemi disa procedura që janë në përfundim. Por edhe ato do të përfundojnë dhe do të ketë tekste shkollore, deklaroi Janevska në televizionin Kanal 5.
Sa i përket çështjes së librave të historisë dhe nëse do të merren parasysh rekomandimet nga Komisioni i Historisë, ajo u përgjigj se, siç tha, “do të përmenden të gjitha figurat historike të rëndësishme që duhet të përmenden”.
“Këtë vit do të ketë një lëndë të veçantë të historisë, sigurisht edhe lëndë të gjeografisë dhe do të ketë tekste edhe për këto lëndë. Ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme, janë lëndë kombëtare që fëmijët duhet patjetër t’i mësojnë. Dhe komisionet e përbashkëta ende nuk kanë dhënë ndonjë propozim zyrtar – të paktën në Ministri një propozim i tillë nuk ka arritur. Prandaj, ne nuk kemi detyrim të zbatojmë ato që thuhen në opinion, sepse nuk kemi një njoftim zyrtar. Sigurisht, do të përmenden të gjitha figurat historike të rëndësishme që duhet të përfshihen në klasa të ndryshme, në tema dhe kapituj të ndryshëm, ashtu siç vlerësojnë autorët tanë se duhet bërë kjo – theksoi Janevska.
Sa i përket teksteve të dëmtuara nga viti i kaluar, Janevska shpjegoi se shkollat duhet t’i raportojnë ato në Ministri, e cila do të dërgojë kopje të reja sipas numrit të raportuar.
“Librat e vjetër që duhet të zëvendësohen raportohen nga shkollat në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Sa libra të raportohen për secilën lëndë, aq do të dërgojmë. Po, ndodh që disa shkolla të bëjnë lëshime, aty duhet të ketë komision për pranimin e librave të vjetër, i cili duhet t’i shqyrtojë, të shohë nëse janë të dëmtuar apo jo. Ligji thotë se për tekstet e dëmtuara, prindi duhet të paguajë 70 për qind të vlerës. Shkollat, veçanërisht disa komuna, nuk duan t’ua kërkojnë ato mjete prindërve dhe raportojnë numër më të vogël të librave të dëmtuar, sqaroi ajo, duke shtuar se këtë vit u është theksuar që është e domosdoshme të raportojnë të gjitha tekstet e dëmtuara dhe do të marrin aq sa kanë kërkuar” – deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.