Presidenti amerikan, Donald Trump, raportohet t’i ketë dorëzuar një letër nga zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë.

Letra ka ngritur çështjen e gjendjes së vështirë të fëmijëve si pasojë e luftës në Ukrainë, sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës Trump.

Putini akuzohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe përballet me urdhërarrest në 125 shtete, për rolin lidhur me zhvendosjen e dhunshme të qindra fëmijëve ukrainas. Ukraina e akuzon Rusinë se ka marrë dhjetëra mijëra fëmijë dhe i ka nisur drejt territoreve të pushtuara, pa lejen e prindërve të tyre.

E për letrën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përgëzuar Melania Trumpin gjatë bisedës që pati me presidentin Trump të shtunën, ka konfirmuar ministri i Jashtëm ukrainas, Andri Sybiha. “Ky është akt i vërtetë i humanizmit”, ka shkruar ai në X.

Një ditë më parë, presidentët amerikanë e rusë u takuan në Alaskë, për çështjen e luftës në Ukrainë. Takimi zgjati rreth tre orë, ndërsa nuk pati ndonjë marrëveshje finale. Detajet nuk u bënë të ditura nga liderët, por se është raportuar se është diskutuar edhe për dorëzim të një pjese të territorit ukrainas.