Një krijesë jo më e madhe se gishti i vogël i dorës ka mbyllur përkohësisht disa plazhe në Spanjë për shkak të rrezikshmërisë së saj.

Bëhet fjalë për “dragoin blu”, një molusk i vogël, me ngjyrë blu-metalik dhe pamje jashtëtokësore, që zakonisht gjendet në ujërat e Oqeanit Atlantik.

Së fundmi, dy ekzemplarë të kësaj krijese u panë duke notuar pranë bregut në Guardamar del Segura, në provincën e Alicante-s, përgjatë Costa Blanca-s. Menjëherë pas kësaj, autoritetet vendore vendosën të ndalonin larjen në det dhe të mbyllnin përkohësisht plazhet, duke ngritur alarmin e kuq për pushuesit.

Edhe pse i vogël në përmasa, dragoi blu është shumë i rrezikshëm. Ai ushqehet me organizma detarë helmues, siç është “karavela portugeze”, dhe ruan në trupin e tij helmet e tyre. Kështu, në rast kontakti me njeriun, ai mund të shkaktojë djegie të forta në lëkurë, të vjella, nauze dhe në raste të rralla, edhe reagime serioze alergjike.