Dy shtëpi u dogjën plotësisht në një zjarr të raportuar herët sot në mëngjes në Lisiçe, ndërsa një person është transportuar në Qendrën Klinike për shkak të lëndimeve, njoftoi sot pasdite Ministria e Punëve të Brendshme.

“Sot rreth orës 01:30, në SPB Shkup është denoncuar se ka shpërthyer një zjarr në një shtëpi në rrugën ‘Gjorgje Andreeviq-Kun’ në lagjen Lisiçe të Shkupit. Nga zjarri janë djegur plotësisht dy shtëpi, në pronësi të S.S. (61) dhe D.Gj. (30), ndërsa pjesërisht është përfshirë nga zjarri edhe çatia e shtëpisë së S.G. (57). Zjarri është shuar nga Brigada e zjarrfikësve e Shkupit. S.S. ka pësuar lëndime dhe me autoambulancë është transportuar në Kompleksin e Klinikave ‘Nëna Terezë’ për dhënien e ndihmës mjekësore”, sqaruan nga MPB.

Siç shtohet në kumtesë, ekspertiza në vendin e ngjarjes do të kryhet gjatë ditës së sotme.