Kandidati për kryetar të Komunës së Zhelinës, Emir Sulejmani, ka deklaruar se 19 Tetori do të jetë “Dita e Popullit” dhe “Dita e Vendimit”, duke e cilësuar si një moment historik për ndryshimin e komunës.

“Dita kur Zhelina do të zgjohet ndryshe. Dita kur bie hija e padrejtësisë dhe lind drita e së ardhmes. Jo thjesht një e diel, por dita që do të shkruhet me shkronja të arta në historinë tonë”, tha Sulejmani.

Ai u shpreh se çdo votë në 19 tetor është “betim për dinjitet” dhe çdo dorë e ngritur është “flamur i shpresës”. Sulejmani theksoi se kandidon “jo për karrige, por për bashkimin, dinjitetin dhe ndryshimin e vërtetë”.

Me mbështetjen e qytetarëve, sipas tij, 19 tetori do të shënojë “Ditën e Madhe” të Komunës së Zhelinës.